Këshilla si të filloni një biznes të suksesshëm

Pesë këshilla praktike për biznesin

Richard Branson është themeluesi dhe drejtuesi ekzekutiv i Virgin Group, që përfaqëson mbi 400 biznese në sektorë të ndryshëm, por mjaft të suksesshme në vetvete. Suksesi i tij në biznes shërben si baza mbi të cilën këshillat e tij marrin vërtetë vlerë qoftë edhe nëse i konsideroni ato thjesht teorikisht.

Si drejtues i suksesshëm Richard ka zënë vendin e tij të pazëvendësueshëm edhe në botën e këshillave praktike për biznesin. Eksperienca e tij e gjatë, si dhe aftësia për të komunikuar qartë dhe saktë, e kanë lejuar të dallohet edhe në sferën e shkrimeve të biznesit. Dhe është pikërisht një prej shkrimeve të tij (Five top tips to starting a successful business), të cilin e kemi përkthyer për këtë shkrim. Përveç hyrjes tonë; titulli dhe përmbajtja e mëposhtme janë plotësisht të përkthyer nga shkrimi i tij.

1. Dëgjoni më shumë se sa flisni

Ne kemi dy veshë dhe një gojë, ndaj edhe përdorimi i tyre në proporcion nuk është një ide e keqe! Për të qenë një udhëheqës i mirë ju duhet të jeni edhe një dëgjues i mirë. Idetë e shkëlqyera mund të vijnë nga burimet më pak të pritshme, ndaj edhe duhet t’i mbani veshët gjithnjë të hapur ndaj këshillave të vlefshme. Kjo nënkupton që mbase duhet t’i ndiqni komentet nëpër faqet online me të njëjtin interes sa edhe shënimet e takimeve të bordit drejtues, ose t’i pyesni punonjësit që janë direkt në kontakt me klientët për opinionin e tyre po aq sa edhe Drejtorët e Përgjithshëm. Dil jashtë dhe bëhu i dëgjueshëm ndaj njerëzve për të mësuar prej tyre.

2. Mbajini gjërat të thjeshta

Për t’u dalluar në biznes shpesh të duhet të gjesh zgjidhje radikale. Por askush nuk tha që për t’u dalluar duhet të gjesh patjetër një zgjidhje komplekse. Aktualisht ka me mijëra zgjidhje të thjeshta biznesi për probleme të ndryshme që presin të marrin zgjidhjen e re dhe të madhe të biznesit. Mbi të gjitha, duhet të kesh një përqendrim drejt risive (inovacionit), por pa u përpjekur që të rikrijosh rrotën. Një ndryshim i vogël që sjell përmirësim është më i efektshëm se sa pesë ndryshime të komplikuara që e bëjnë situatën edhe më keq.

3. Jini krenar për punën tuaj

Javën e kaluar mora pjesë në aktivitetin e përvitshëm “Virgin Stars”, ku vlerësojmë disa prej njerëzve që kanë punuar më fortë nëpër kompanitë e grupit Virgin. Pavarësisht të gjitha kompanive tona, kombësive dhe personaliteteve të ndryshme të mbledhur të gjithë nën një çati, ishte veçanërisht me interes të shihje se çfarë ato kishin të përbashkët. Një prej tyre ishte krenaria për punën e tyre, si dhe në kompaninë që ata përfaqësonin. Mos e harroni kurrë që personeli juaj janë në fakt mbështetësit më të mëdhenj të brenditë (emrit) tuaj dhe kur ju i kushtoni vëmendje krenarisë së tyre në punë bën që kjo të tregohet menjëherë në mënyrën se si ata trajtojnë klientët tuaj.

4. Zbavituni, suksesi do të vijë më vonë

Nëse puna që po bëni nuk ju jep kënaqësi, atëherë gjasat janë që jeni duke e bërë gabim! Nëse në mëngjes, kur zgjoheni, ju duket sikur po shkoni të bëni detyrën, atëherë mbase ka ardhur momenti për të bërë diçka tjetër. Në qoftë se ju jeni duke ia kaluar mirë, atëherë gjasat për krijimin e një atmosfere pozitive dhe plot risi do jenë edhe më të larta dhe kështu edhe biznesi juaj do të përparojë. Një buzëqeshje dhe një shaka mund të bëjnë shumë më mirë, ndaj mos nguroni të shikoni edhe anën zbavitëse të punëve.

5. Bëjeni copa-copa dhe filloni nga e para

Nëse jeni një sipërmarrës të cilit nuk i del me sukses sipërmarrja e parë, atëherë mirë se erdhët në klubin tonë! Çdo biznesmen i suksesshëm ka përjetuar dështime në udhëtimin e vet – ajo që ka rëndësi është se si ju mësoni prej këtyre eksperiencave. Mos u dekurajoni nga një apo disa dështime, përkundrazi, ngrihuni sërish në këmbë, pastrohuni, dhe përpiquni të kuptoni se çfarë nuk funksionoi. Në atë moment do arrini të gjeni pikat pozitive, analizoni pikat ku mund të përmirësoheni, pastaj bëjeni copa-copa nismën tuaj dhe filloni nga e para.

Back to top button