Konfindustria kërkon kujdes nga Kosova e Shqipëria

Për Tregun e Përbashkët të Ballkanit Perëndimor

Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i “Konfindustrisë”, ka kërkuar që Shqipëria dhe Kosova të jenë të kujdesshme në zbatimin e nismës së fundit të Bashkimit Evropian për krijimin e Tregut të Përbashkët të Ballkanit Perëndimor, të vendosur në takimin e nivelit të lartë në Trieste të Italisë.

Sipas tij krijimi i Tregut të Përbashkët të Ballkanit Perëndimor, është e vështirë të jetë e suksesshme, nëse nuk mbahet parasysh se roli i BE duhet të mbështetet para se gjithash në parimin e paanësisë dhe mosfavorizimit të asnjë prej 6 shteteve anëtare.

“Sa më sipër duhet të shprehet edhe në shpërndarjen e investimeve prej 1 miliard euro të premtuara në mënyrë, që të zbuten ndryshimet e thella të sotme në infrastrukture dhe ekonomi ndërmjet vendeve të Rajonit”, thuhet në një njoftim për medie nga Konfindustria e Shqipërisë.

Ky institucion tha se duhet të kihet parasysh se prej vitit 2013, në krye të Sekretariatit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal/KBR është Ministri i Jashtëm serb i ish-Jugosllavisë.

Sipas këtij njoftimi në takimin e Triestes, pikërisht KBR-së ju ngarkua nga BE edhe detyra strategjike e mbikëqyrjes së zbatimit të krijimit të Tregut të Përbashkët të Rajonit, përveç detyrave të deritashme për ecurinë e zbatimit të marrëveshjes tregtare pothuajse të dështuar CEFTA-s, etj.

“Është e qartë se në kushtet e sotme, Serbia, për shkak të shumë rrethanave infrastrukturore, ekonomike dhe financiare të trashëguara, do të jetë në kushte shumë më të favorshme sesa shtetet e tjera të Rajonit në Tregun e Përbashkët të propozuar në Trieste”, ka vlerësuar Konfindustria përmes një njoftimi për medie./21Media

Back to top button