Konfirmohet rasti i parë me koronavirus në Gjermani

Bëhet e ditur se ai është nën mbikëqyrje

Është konfirmuar rasti i parë me koronavirus në Gjermani. Personi i parë me koronavirus në Gjermani u infektua nga një kolege e tij kineze, me të cilën ndoqi një trajnim të kompanisë në shtetin e Bavarisë një javë më parë, thanë të martën zyrtarë shëndetësorë.

Kolegia, një grua nga Shanghai, nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore gjatë udhëtimit të saj për në shtëpi më 23 janar, tha Andreas Zapf, kreu i Zyrës Shtetërore të Bavarisë për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit, në një konferencë për shtyp.

Personi që u infektua është nga Starnberg, 30 kilometra në jug të Mynihut dhe është në gjendje të mirë shëndetësore, sipas autoriteteve të shëndetësisë, transmeton rtv21.tv

Ministria përmes një deklarate të hënën bëri të ditur ai është nën mbikëqyrje në një repart izolimi dhe se rreziku i infeksionit për njerëzit e Bavarisë aktualisht konsiderohet të jetë “i ulët”.

“Njerëzit që ishin në kontakt me pacientin u informuan detajisht për simptomat e mundshme, masat higjienike dhe kanalet me të cilat transmetohet kjo sëmundje”, thuhet në një deklaratë.

Ndërsa, në Kinë numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri në Kinë arriti në 106, ndërkohë që numri i rasteve të infektuara pothuajse u dyfishua brenda ditës. Autoritetet kineze thanë se numri total i njerëzve të prekur me këtë virus të hënën ishte 4,515, ndërsa një ditë më herët 2,835./21Media

Back to top button