Konjufca-pozitës: Pse i mashtruat qytetarët për viza?

“Tash qytetarët kanë të drejtë të pyesin pse i keni mashtruar ata, pse nuk keni treguar drejt”

Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka kërkuar përgjegjësi nga pozita për shkak të mos liberalizimit të vizave, duke thënë se me premtimet e mëhershme të tyre ata vetëm sa i kanë mashtruar qytetarët e vendit dhe se për këtë duhet të japin përgjegjësi.

Ai ka përkujtuar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Ramush Haradinaj kishin premtuar se demarkacionit do të jetë kushti i fundit për liberalizim, por kjo nuk doli të jetë ashtu.

“Komisionari Hahn na tregoi se nuk do të ketë liberalizim të vizave deri në vitin 2020. Kjo tregon jo seriozitetin e kësaj qeverie dhe premtimet e këtyre politikanëve. Edhe vetë Qeveria e kaluar kur u rrëzua koalicioni PAN, e rrëzoi me arsyetimin shumë të mirënjohur , që këta nuk po dinë të marrin vendime për liberalizim të vizave, kështu që po e rrëzojmë, sepse  e dimë se qysh me i marrë  vendimet e mëdha. Tash qytetarët kanë të drejtë të pyesin pse i keni mashtruar ata, pse nuk keni treguar drejt. Më në fund, në këtë vend duhet që politikanët të mësohen të japin përgjegjësi”, ka thënë ai.

Ndryshe, komisionari evropian për Zgjerim, Johaness Hahn gjatë vizitës së djeshme në Kosovë tha se heqja e regjimit të vizave nuk do të ndodhë deri në vitin 2020, madje i porositi kosovarët të mos mbahen peng i datave, duke aluduar se ky proces mund të marrë kohë edhe më shumë.

Back to top button