Abbott pret formimin e shpejtë të qeverisë

Abbott pret formimin e shpejtë të qeverisë

Ministri në largim i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala dhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott nënshkruan sot marrëveshjen e partneritetit, tregtisë dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.

Shala deklaroi se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm për Kosovën, teksa shtoi se bashkëpunimi i mirë me Britaninë e Madhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ai tutje theksoi se kjo marrëveshje, përveç aspektit ekonomik, fuqizon lidhjet politike dhe afirmon shtetësinë e Kosovës.

Ky është edhe një hap para që Republika e Kosovës së bashku me Mbretërinë e Bashkuar arrin që edhe në të ardhmen, marrëdhëniet tona ekonomike tregtare do të vazhdojnë të jenë ashtu siç kanë qenë në marrëveshjen që ka ekzistuar ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Kjo marrëveshje nuk e prek vetëm karakterin ekonomik dhe tregtare, njëkohësisht forcon lidhjen politike ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, respektivisht kjo marrëveshje e afirmon shtetësinë e Kosovës, territorin e doganor të Republikës së Kosovës”, tha Shala.

Ndërsa, Abbott u shpreh i lumtur që po nënshkruajnë këtë marrëveshje, sipas të cilit, është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Jam i lumtur që sot kemi nënshkruar këtë marrëveshje, është një hap i rëndësishëm. Pra, do të shihet rëndësia nëse do ta dalim nga Bashkimi Evropian. Ne kemi një marrëveshje me Kosovën, dhe është shumë me rëndësi të kemi këtë marrëdhënie”, deklaroi Abbott.

Ai tha se është e rëndësishme të theksohet se kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi pas datës në të cilën marrëveshja BE-Kosovë pushon së zbatuari në Mbretërinë e Bashkuar (marrëveshja do të hyjë në fuqi pasi Mbretëria e Bashkuar të dalë nga BE vitin e ardhshëm).

Abbott ka komentuar situatën politike në vend.

Po shkojmë kah fundi i procesit zgjedhor ne Kosovë dhe duke respektuar për të parë formimin e qeverise së re shumë shpejt, në Mbretërinë e Bashkuar i kemi zgjedhjet javën tjetër të enjten, dhe po shpresoj se nuk do të merr shumë formimi i qeverisë”, tha ambasadori.