“Nuk është çështje urgjente kjo, çështje urgjente është qeveria"

“Nuk është çështje urgjente kjo, çështje urgjente është qeveria”

Posti i Presidentit të Kosovës nuk po shihet si temë urgjente për diskutim nga Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithëse është bërë pikë problematike në diskutimet në mes LDK-së dhe LVV-së, Kurti tha se kjo temë do të duhej të diskutohej pas formimit të qeverisë.

“Është një President fantom në tentativë që nuk po e dimë kush është. Presidenti është personalitet. Unë nuk mund të them që kam emra edhe për karrige të zbrazëta që po na presin e lëre më për një karrige që është e nxënë”, tha ai.

Në një intervistë në emisionin “Jeta në Kosovë”, Kurti diskutoi në detaje pse është bërë problematike kjo pozitë.

“Nuk është çështje urgjente kjo, çështje urgjente është qeveria. Unë nuk po e mohoj që të hapet edhe ajo temë por nuk mund ta nxjerrim çerren para kalit”, tha ai.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy parti tash disa javë janë në bisedime për harmonizim të programit.

Megjithëse ka pasur takime në mes liderëve deri më tani nuk është arritur marrëveshje për koalicion./kallxo