Puna e Kuvendit gjatë viti 2023, vlerësohet në kundërshtim me Kushtetutën

Puna e Kuvendit të Kosovës gjatë vitit 2023 është karakterizuar nga vendimmarrja në kundërshtim me Kushtetutën, thuhet në raportin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, që u publikua të premten.

Hulumtuesi në IKD, Naim Jakaj, tha se legjislativin e ka përcjell edhe mungesa e transparencës në çështje kyçe të punës, derisa të zgjedhurit e popullit shpesh herë kanë përdorur gjuhë joparlamentare, homofobe dhe seksiste.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pjesërisht Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe atë për Zyrtarët Publikë, ndërsa rrëzoi në tërësi Ligjin për Këshillin Prokurorial. Krahas kësaj, ai shtoi se kushtetuesja rrëzoi edhe Ligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg si dhe vendimin për shkarkimin e tetë anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

“Puna e këtij institucioni është karakterizuar edhe nga vendimmarrja në kundërshtim me Kushtetutën, në disa raste nga vendimmarrja e kundërligjshme dhe në disa raste nga mungesa e transparencës së plotë në çështje kyçe të punës së Kuvendit. Më tutje puna e Kuvendit është përcjell edhe nga gjuha jo parlamentare, gjuhë raciste, seksiste, mizogjene dhe homofobe. Ndërkohë gjatë vitit 2023 përfaqësuesit e qytetarëve u përplasën fizikisht gjatë punimeve të seancës plenare ndërmjet veti dhe kabinetit qeveritar”, tha ai.

Jakaj po ashtu tha se Kuvendi ka zhvilluar punimet pa planifikim adekuat, derisa s’ka pas as efikasitet në miratimin e Projektligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Kuvendi ka zhvilluar punime pa planifikim adekuat, ku në krahasim me vitin paraprak Kryesia e Kuvendit kishte autorizuar draft-planin për sesionin, këtë vit një propozim i tillë nuk u diskutua fare. Kjo për pasojë pati fenomenin e mosefikasitetit në shqyrtimin dhe miratimin e pikave të rendit të ditës. Mosefikasitet që u bart nga një vit në tjetrin…Në lidhjen me aktivitetin legjislativ ai u përshkrua nga mosefikasiteti në miratimin e projektligjeve dhe pikave të tjera, përgjithësisht pati mungesa kronike e kuorumit, ku në shumicën e rasteve u shkaktua nga deputetët e shumicës dhe më pas tek deputetët opozitarë. Në anën tjetër edhe këtë vit, përveç në masë të madhe u shfaq fenomeni i mosmarrëveshjeve ndërkombëtare për të cilat në procesin e vendimmarrjes nuk merrnin pjesë deputetët e opozitës. Shumica parlamentare është treguar arrogante sa i përket bashkëpunimit me deputetët opozitarë, veçanërisht për Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024”, shtoi ai.

Ndërkaq, potencoi se Kuvendit gjatë vitit 2023 keqpërdori edhe mekanizmin e thirrjes së seancës së jashtëzakonshme për miratimin e pikave të rregullta të rendit të ditës.

Back to top button