Kurti: Ne e dimë se çfarë do Serbia, por a e dimë se çfarë duam ne?

Kurti tha se para se të nisë dialogu, duhet të jemi të bashkuar rreth qëllimit tonë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në fjalën e tij në konferencën “Zëri i popullit rreth ‘Finales së madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” tha politika kosovare ka mundësi të jetë e unifikuar rreth asaj se çfarë kërkojnë në dialog me Serbinë.

“Ne e dimë se çfarë do Serbia, por a e dimë se çfarë duam ne? Në Kuvend ne mund të arrijmë konsensus për kërkesat tona për Serbinë siç është njohja e pavarësisë, zbardhjen e fatit të të pagjeturve, reciprocitet, etj., pra janë gjëra që mund të dakordohemi. Këto kërkesa t’i bëjmë në një dokument zyrtar parlamentar e qeveritar për Serbinë i borxhli i yni. Kjo duhet të ndodhë para se të nisë dialogu. Ne duhet të jemi të bashkuar rreth qëllimit tonë për një marrëveshje të qëndrueshme”, tha Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes gjithashtu u shpreh se forcimi i shëtit është një tjetër kusht për t’u paraqitur denjësisht në dialog.

“Karshi Serbisë nuk është i rëndësishëm vetëm konsensusi politik, por edhe fuqia e shtetit. Kur e ki shtetin përtokë konsensusi partiak nuk është i rëndësishëm, paralelisht duhet ta forcojmë shtetin tonë, pra drejtësia, arsimi, shëndetësia etj., duhet të jenë në nivel tjetër se para Serbisë jemi si shtet, jo si parti”, vijoi Kurti.

Ai gjithashtu deklaroi se Kosova deri më tash ka 33 marrëveshje me Serbinë, por ato nuk ia kanë ndryshuar mendjen 5 vendeve anëtare të BE-së për ta njohur pavarësinë e Kosovës e aq më pak Kinës e Rusisë.

Ndërsa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot tha se dialogu Kosovë-Serbi është i pashmangshëm. Sipas tij, ka ardhur koha për të lënë prapa armiqësinë, që ka prodhuar tragjedi në Kosovë.

Ndërkaq, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Strand Sjaastad shpreson se dialogu Kosovë-Serbisë do t’i ipet edhe një shans.“Duhet të jetë proces gjithëpërfshirës. Jo të gjitha partitë politike duhet të jenë pjesë e delegacionin shtetëror, por duhet të punojnë në Parlament. Besoj që ky sondazh do të jetë i dobishëm për debate dhe diskutime”, tha ai.

Këto u thanë në se konferenca “Zëri i popullit rreth ‘Finales së madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” është duke u mbajtur në “Swiss Diamond” nga ora 9:30./21Media

Back to top button