Largohen nga tregu produktet me mbishkrime “Kosovo/a- UNMIK”

Drejtoria e inspektoratit  e Obiliqit gjeti mirëkuptim nga operatorët ekonomikë dhe filloi largimi i produkteve

Drejtori i drejtorisë së Inspektoratit, Burim Ismaili, së bashku me inspektorët kanë dal në zbatimin e urdhëresës të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë duke kërkuar nga operatorët ekonomik që menjëherë të largojnë të gjitha produktet me etiketën “Kosovo dhe Metohi”, “Kosovo/a- UNMIK”, apo “Kosovo/a- Rezoluta 1244”, apo çdo emërtim tjetër në kundërshtim me emërtimin zyrtar të Republikës së Kosovës.

Drejtoria e inspektoratit në Komunën e Obiliqit gjeti mirëkuptim nga operatorët ekonomikë dhe menjëherë filloi largimi i produkteve deri në përmirësimin e etiketës.

Aksioni ishte i mirëpritur edhe nga qytetarët e kësaj komune. Ky aksion, i cili ka filluar nga data 19 nëntor do të vazhdojë deri në largimin e tërësishëm të këtyre produkteve nga shitja.

Qeveria e Kosovës dje mori vendim për rritjen e taksës për 100 përqind ndaj produkteve që hyjnë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Ky vendim ka nxitur reagime të mëdha jo vetëm në Serbi, por ka nxitur edhe reagimin e Bashkimit Evropian. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojnë menjëherë këtë vendim.

Back to top button