Limaj: Hapja e Zyrës Doganore në Durrës, projekti më i madh pas autostradës

“Integrimi i doganave si vizion i yni i përbashkët drejt unionit doganor në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, i shoqëruar edhe nga ministri i Financave, Bedri Hamza dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Bahri Berisha, sot mori pjesë në hapjen e Zyrës së Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit.

Me këtë rast,  Limaj tha se sot është një moment i rëndësishëm në qëllimin e mëtutjeshëm të integrimit dhe të bashkëpunimit në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, duke vlerësuar se ky projekt është i dyti më i rëndësishëm që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës që po implementohet sot.

“Pas një pune të përbashkët, një projekti të përbashkët madhor të ndërtimit të Autostradës Tiranë-Prishtinë, sot në këtë ditë është projekti më i rëndësishëm konkret në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, integrimi i doganave si vizion i yni i përbashkët drejt unionit doganor në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”, tha zëvendëskryeministri Limaj.

Më tej, Limaj në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të të dy qeverive, tha se nga katër vendimet e marra në mbledhjen e përbashkët të Qeverive të mbajtur në Pejë tanimë po implementohet marrëveshja e dytë, e para është integrimi i kufijve në fillim të këtij viti dhe e cila pritet të përfundojë në mars dhe sot dogana e Kosovës po themelohet në Portin e Durrësit.

Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se ndihet tepër i nderuar që në cilësinë e ministrit të Financave të merr pjesë në hapjen e pikës doganore, të Doganave të   Republikës së Kosovës në portin e Durrësit. Më tej në fjalën e tij ministri Hamza falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme dhe angazhimin e tyre në realizimin e këtij qëllimi, kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj. Ministri Hamza tha se qëllimi dhe prioritet i lartë i Qeverisë së Kosovës është rritja ekonomike dhe bartës i këtij zhvillimi do të jetë sektori privat.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama tha se ndihet mirë që sot po mblidhen në një stacion tjetër të rrugëtimit të projektuar në mbledhjen e dy qeverive për të hapur Zyrën Doganore të Kosovës në Durrës dhe për ta kthyer kështu portin e Durrësit jo vetëm në një Doganë të Shqipërisë, por edhe në Doganë të Kosovës, duke shtuar se ky është hapi i parë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, shkurtimi i burokracive, i orëve të pritjes së kontrolleve, i kostove të pallogaritshme për bizneset janë efekt i drejtpërdrejtë i hapjes së kësaj zyreje doganore./21Media

Back to top button