May: Më shumë gjasa ta bllokojnë Brexit-in, sesa të largohen nga BE pa marrëveshje

Votimi për marrëveshjen bëhet të mërkuren

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Teresa May, është duke bërë përpjekjet e saj të fundit, për të bindur deputetët që të mbështesin marrëveshjen për Brexit. Hedhja në votim për këtë çështje do të bëhet të mërkuren. May pritet të mbajë fjalim sot, për të paralajmëruar se Parlamenti më lehtë mund të bllokojë Brexit-in, sesa të largohet nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje.

Gjatë një takimi që pritet të zhvillojë me punëtorët e një fabrike, May do të thotë të hënën: “Siç e kemi parë gjatë javëve të fundit, ka disa të cilët do të dëshironin të vononin ose madje të ndalonin Brexit-in, dhe të cilët do të përdorin çdo mjet që kanë në dispozicion për ta bërë këtë “, raporton BBC.

Ajo do të shtojë se beson se deputetët kanë më shume gjasa që ta bllokojnë Brexit-in, sesa të realizohet një skenar pa marrëveshje. May tha se do të ishte katastrofike në rast se rezultati i referendumit për daljen e Britanisë së madhe nga BE, nuk zbatohet.

Ndërsa, laburistët kanë paralajmëruar votë mosbesimi ndaj kryeministres May, në rast të humbjes. Lideri, Jeremy Corvyn i tha BBC-së, se laburistët do të votojnë kundër marrëveshjes dhe se do të nisin përgatitjet për zgjedhje të përgjithshme në rast të dështimit të votimit të marrëveshjes.

Back to top button