Mbi katër milionë denarë përfunduan në “Drisla”

150 mijë denarë të shpenzuara vetëm për mirëmbajtje

Vitin e parë shpëtuan, por nuk i mbijetuan dimrit të dytë. Në deponi përfunduan mbi 4 milion denarë ose 138 palma nga 500 euro të cilat u mbollën në Shkup. Dje në Taftalixhe, ndërsa sot në Aerodrom u shkulën palmat e thara. Në vend të tyre do të mbillen panje.

NP Parqe dhe gjelbërim është e angazhuar për largimin e të gjitha palmave, të cilat pastaj do të transportohen në deponinë “Drisla”. As mbështjellja me najlon, nuk arriti që shpëtojë palmat nga dimri i ftohtë, thotë drejtori i NP Parqe dhe gjelbërim, Dushan Aviroviq. Ai shton se për mirëmbajtjen e tij janë shpenzuar më shumë se 150 mijë denarë.

“Në rast se ky dimër nuk do të kishte temperatura kaq të ulëta, unë mendoj se palmat do të mbijetonin, pasi që vetëm tre vitet e para janë kritike. Dimrin e parë nuk kishim as një palmë të tharë. Megjithatë këtë dimër edhe krahas masave që i morëm, kundër natyrës rrallë kush mund të luftojë. Ndodhi ajo që ndodhi”, tha ai.

Drejtori i NP Pyjet e Maqedonisë, e cila i ka porositur palmat, Zharko Karaxhovski sot nuk dëshironte të flasë para kamerës së TV21. Por para vetëm një jave deklaroi se ai nuk është përgjegjës për faktin se palmat janë tharë pasi që për mirëmbajtjen e tyre kanë qenë të obliguar ndërmarrjet publike të komunave.

“Ndoshta palmat janë marrë të mira, gjithçka në rregull, edhe janë mbjellë mirë, kanë filluar të vegjetojnë, por nëse askush nuk e mirëmban dhe nuk kujdeset për të gjatë sezonit të dimrit, ajo nuk është detyrë as e Pyjeve të Maqedonisë e as e shtetit, por detyrë e atyre qe duhet ti mirëmbajnë”, tha Karaxhovski.

Janë mbjellë gjithsej 1500 palma për të cilat nga buxheti i shtetit u ndanë gjithsej 17 milion denarë. Palmat të cilat u ushqyen me humus dhe me mbeturina nga krimbat kalifornez , u mbollën në Strugë, Ohër, Gjevgjeli, Dojran, Veles, Prilep, Resnje dhe Shkup. Mbijetuan vetëm palmat në Prilep./21Media

Back to top button