Mickoski propozoi Ministrin e Brendshëm teknik

Ahmeti: Për ne është i pranueshëm nëse e pranon Zaevi

Në takimin mes liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti është kumtuar biografia dhe personaliteti i ministrit të Punëve të Brendshme të Qeverisë teknike. Bëhet fjalë për një profesionist, tha Hristijan Mickoski.

“Sipas praktikës së deritashme, sipas ligjit, kisha një takim të shkurtër por të suksesshëm me zotëri Ahmetin ku biseduam për zgjidhjen e mundshme kadrovike për Ministrinë e Punëve të Brendshme, gjegjësisht biografia dhe profili i personalitetit që nga ana jonë u prezantua si propozim. Bëhet fjalë për profesionist”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

E propozimi i VMRO-DPMNE-së është i pranueshëm për Ali Ahmetin, nëse ai pranohet nga partneri në pushtet, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

“Nëse dakordohen edhe me partnerin tjetër në pozitë, atëherë do të jetë një kandidat me eksperiencë të re. Mendoj se do të ishte mirë për Ministrinë e Punëve të Brendshme, por edhe për rendin dhe qetësinë”, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Paraprakisht, emra për qeverinë teknike ka kumtuar edhe LSDM-ja. Për kryeministër ka propozuar Oliver Spasovskin, për zëvendëskryeministre për Çështje Ekonomike, Milla Carovskën, ndërkaq për ministre shtesë të Punëve të Brendshme, Sllavjanka Petrovska dhe për ministre shtesë për Punë dhe Politikë Sociale, Sanella Shkrielj. Për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti Spasovski është person i pranueshëm./TV 21

Back to top button