Miratohet Agjenda Digjitale e Kosovës 2030

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit miratoi Agjendën Digjitale të Kosovës 2030, e cila është hartuar dhe propozuar nga Ministria e Ekonomisë.

Agjenda Digjitale e Kosovës 2030 është strategji qeveritare ndër-sektoriale që përcakton politikën dhe prioritetet e veçanta të Kosovës në kontekstin e transformimit të vazhdueshëm digjital të ekonomisë dhe shoqërisë, e ndikuar nga teknologjitë inovative dhe trendet digjitale botërore.

Agjenda Digjitale, siç informoi qeveria, merr në konsideratë objektivat strategjike të strategjisë kombëtare të zhvillimit, strategjisë kombëtare të TI-së dhe dokumenteve të tjera të politikave socio-ekonomike të Kosovës, si dhe është në përputhje të plotë me strategjitë dhe rekomandimet më të fundit të Bashkimit Evropian, p.sh., Kompasi Digjital 2030, Marrëveshja e Gjelbër, Formësimi i së ardhmes digjitale të Evropës, Rruga e Programit të Politikave 2030 për dekadën digjitale, Strategjia e shoqërisë Gigabit, Plani i Veprimit 5G, Siguria Kibernetike e rrjeteve 5G, etj.

Para miratimit në Qeveri, Agjenda Digjitale ka qenë në konsultime publike si dhe janë mbajtur takime me përfaqësues të fushës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, ku janë paraqitur idetë dhe komentet e tyre, në mënyrë që dokumenti i Agjendës Digjitale të Kosovës 2030 të jetë sa më efektiv dhe i përdorshëm, sidomos nga sektori i TIK-ut dhe institucionet publike e private.

Back to top button