​Kurti: Më gëzon fakti se ka pasur zhvillime pozitive për komunitetin egjiptian

Me rastin e shënimit të Ditës së flamurit të komunitetit egjiptian, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se si ekzekutiv po punojnë për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë.

Kreu i ekzekutivit në tryezën e rrumbullakët me komunitetin egjiptian u shpreh i gëzuar që ka pasur zhvillime pozitive për këtë komunitet.

“Besoj se së bashku kemi shumë për të festuar për komunitetin, por jam këtu edhe për të dëgjuar sfidat që ju shihni se mbeten… Më gëzon fakti se ka pasur zhvillime pozitive që nga tryeza e rrumbullakët këtu një vit më parë. Iu falënderoj për gjithë kontributin e dhënë për komunitetin egjiptian në Republikën e Kosovës për mundësitë për bashkëqeverisje përmes kabinetit tim qeveritar dhe Kuvendit të Kosovës”, tha ai.

Ai tregoi se çfarë hapa kanë ndërmarr për krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë.

“Tani kemi ndarë edhe 3 milionë euro vetëm për komunitete për OJQ dhe për vende të reja pune në thirrjen që sapo është mbyllur në ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Për familjet e komuniteteve që nuk kanë shtëpi apo kanë nevojë për renovime ministria e Administrimit e Pushtetit Lokal ka ndarë 3 milionë euro si dhe 1 milionë për projekte infrastrukturore për komunitetet… Qeveria jonë po punon për krijimin e mundësive të barabarta për arsim dhe punësim, arsimi i lartë ofrohen falas për të gjitha komunitetet dhe me ministrinë Krasniqi dhe Nagavci jemi dakorduar që të ndajmë 100 bursa për studentët egjiptian në universitetet publike. Në tetor do të hapet konkursi edhe për 100 bursa të tilla gjithashtu i kemi ndarë 300 mijë euro nga komuniteti”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Kurti tha se edhe në muajt e ardhshëm kanë shumë mundësi për bashkëpunim me qëllim të forcimit të pozitës së komunitetit egjiptian në Kosovë.

“Edhe muajt e ardhshëm kemi shumë mundësi për bashkëpunim dhe për forcimin e pozitës së komunitetit egjiptian, në vjeshtë do të filloj regjistrimi i popullsisë për herë të parë kemi siguruar të drejtën që çdo shtëpi të kërkoj që regjistruesi që merr informacion për familjen të jetë nga i njëjti komuniteti siç është shtëpia. Kështu që do të kemi nevojë për regjistrues nga të gjitha komunitetet. Iu inkurajoj të gjithëve që të jeni aktiv brenda komunitetit për të siguruar pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve në regjistrim të popullsisë”, theksoi kreu i Qeverisë së Kosovës.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi u shpreh se shënimi i kësaj dite është ogur i mirë dhe i qartë se komunitetet do të përfshihen në secilin plan e program qeveritar.

Ai tha se si qeveri i kanë ofruar mbështetje komunitetit egjiptian.

“Është një ogur i mirë sinjal i qartë dhe i drejtpërdrejtë se komunitetet do të përfshihen në secilin plan, program e projekt qeveritar. Ditët memoriale padyshim se janë më madhështore se datat festive, janë emotive, të rëndësishme dhe të veçanta janë histori, filozofi dhe politikë apo ditë reflektimi për të kaluarën… Me fillimin e qeverisjes Kurti komuniteti egjiptian është mbështetur dhe përkrahur dhe për këtë nuk po i referohem emërimit tim në pozitën e ministrit, mirëpo fillimet e punëve në shërbim të komunitetit ngase të qenit ministër e në veçanti t’i takon një komunitetit që ka nevojë për mbështetje e përkrahje ta kthen secilën detyrë në mision dhe secilin vendim në vizion”, u shpreh ministri Krasniqi.

Deputeti në Kuvendin e Kosovës, Fridon Lala u shpreh se përgjatë këtyre dy viteve të qeverisjes Kurti janë zhvilluar shumë politika që kanë pasur ndikim të mirë tek komuniteti egjiptian.

Ai tha se për herë të parë ka një decentralizim të fokusit qeveritar sa i përket trajtimit të grupeve minoritare.

“Për këto dy vite e diçka qeverisje ka ndodhur shumë ndryshime, shumë politika në të mirë të komunitetit dhe të cilat domosdoshmërisht kanë ndikuar në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme socio-ekonomike të komunitetit dhe jo vetëm. Për herë të parë kemi një shpërndarje apo decentralizim të fokusit qeveritar sa i përket trajtimit të grupeve minoritare për dallim prej viteve të kaluara ku i gjithë fokusi ka qenë ndoshta një super provizim i një komuniteti të caktuar këtë herë kemi pas një vullnet të kryeministrit për të dialoguar me komunitetet e jo vetëm me përfaqësuesit e tyre”, u shpreh Lala.

Back to top button