Mogherini: Taksa duhet të hiqet, bisedimet duhet të vazhdojnë

Mogherini dhe Vuçiq kanë diskutuar për dialogun

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq kanë zhvilluar një bisedë telefonike për situatën në Ballkanin Perëndimor, e me theks të veçantë për dialogun.

Në një postim në Twitter, Mogherini ka shkruar se taksa duhet të hiqet dhe se bisedimet duhet të vazhdojnë.

“Bisedova me presidentin Aleksandër Vuçiq për rrugën përpara dialogut. Një marrëveshje gjithpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e të gjitha çështjeve të hapura është urgjente dhe vendimtare për Serbinë dhe Kosovën për të përparuar drejt Bashkimit Evropian, për stabilitet dhe paqe në rajon. Taksa duhet të hiqet, bisedimet duhet të vazhdojnë”, ka shkruar Mogherini, përcjellë rtv21.tv

Presidenti Vuçiq ka thënë gjatë bisedës se dialogu mund të vazhdojë vetëm pas tërheqjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e Prishtinës dhe ndaljes së provokimeve siç është miratimi i Statutit të Trepçës, thuhet në një komunikatë nga Presidenca serbe. Ai ka thënë se masat të tilla të njëanshme nga ana e Prishtinës dëmtojnë stabilitetin e rajonit, përcjellë rel.

Në bisedë u theksua se Serbia është e përkushtuar për zbatimin e reformave të nevojshme në rrugën evropiane, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, janë bërë tre muaj që kur Qeveria e Kosovës e ka vendosur taksën 100 përqind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Ky vendim ka ngjallur shumë reagime dhe në arenën ndërkombëtare, BE vazhdon ta kërkojë heqjen e taksës. Ndërsa, SHBA pezullimin e saj. Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përsërit qëndrimin e tij se taksa nuk do të hiqet deri në njohje të Kosovës nga ana e Serbisë./21Media

Back to top button