Mustafa: Vizat së pari duhet t’ia heqin qeverisë, pastaj vetvetes

Sipas Mustafës, BE kishte paralajmëruar që sa më shumë që të vonohet demarkacioni aq më shumë do të prolongohet liberalizimi

Ish- kryeministri Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook deklaroi se mënyra e vetme për tu hequr vizat është që qeveria aktuale të largohet nga pushteti.

Sipas tij përveç që nuk u liberalizuan vizat po ashtu humbën edhe zotimet që kufiri të zhvendoset në Çakor.

“Mbetëm pa përmbushje të zotimeve për liberalizim dhe mbetëm pa përmbushje të zotimeve se kufiri do të zhvendoset ne Çakor. Ndërkaq, askush nuk merr përgjegjësi.
Ishte kontestimi që ia bëri Kryetari i AAK-së, tani Kryeministër, me kauzë të rrejshme marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi që qoi që procesi i liberalizimit të mos fillojë me kohë. Ai dhe disa shërbyes të tij, deputetë e profesorë, ngulnin këmbë se kufiri është në Zhleb dhe Çakorr dhe se Kosova po humb 8200 hektarë. Këtë vit demarkacioni u ratifikua, e votuan 80 deputet, kufiri nuk po lëvizë, mbeti aty ku u caktua me marrëveshje, por vizat nuk u hoqën.
Do të ishte mirë që para ambasadave, ku rreshtohen e maltretohen me qindra qytetarë me nga një çantë dokumente për të marrë një vizë, t’ua vejmë fotot e atyre që me paturpësi, vetëm për të përfituar nga popullizmi, na sollën në këtë situatë. Edhe fotografinë e Qeverisë së sotme.
BE-ja nuk ishte parimore me Kosovën, se na vëri më shumë kushte sesa vendeve të tjera, por BE-ja na informoi me kohë, në vitin 2015 dhe 2016, se nëse vonohemi me ratifikim të marrëveshjes, do të prolongohet liberalizimi. Këtë e kanë ditur të gjithë!
Mos te kemi iluzione as në të ardhmen se me një Qeveri me 1/3 e ministrave me aktakuza, që merr vendime arbitrare, me 80 zëvendësministra, vizat nuk hiqen. Vizat së pari duhet t’ia heqin qeverisë së tanishme për ta quar në shtëpi, e pastaj t’ia heqin vetvetes duke e zgjedhur një qeveri e cila punon për interesat e qytetarëve e jo për klientelën e vet.”, shkroi Mustafa në Facebook.

Ndërkohë, propozim rezoluta që ka të bëjë me liberalizimin e vizave, e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje edhe sot nuk ka marrë votat e kërkuara. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti para votimit tha se dje janë ftuar në takim kryetarët e grupeve parlamentare por nuk janë harmonizuar për rezolutën. Megjithatë, ai kërkoi që kjo rezolutë të hedhet në votim. Ishin 40 deputetë që votuan për, një kundër dhe një abstenim.

Ky propozim nga opozita erdhi pasi Komisioneri Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn gjatë qëndrimit për vizitë zyrtarë në Kosovë para pak ditësh ka thënë se sa i përket procesit të liberalizimin të vizave merr kohë që të miratohen të gjitha dispozitat ligjore. Sipas tij, data më reale për liberalizim është viti 2020./21Media

Back to top button