Nagavci: Duhet ta dimë çfarë kërkon LDK-ja

“Ofertën për LDK e ka bërë Kurti dhe ne presim që LDK-ja të propozojë 6 emrat”

Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta dërgojë sot emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, ndërkohë që bëri të ditur se do të vazhdojnë negociatat me LDK-në për arritjen e koalicionit bashkëqeverisës, pavarësisht ngërçit rreth postit të presidentit.

“Ne në mbledhjen e Kryesisë morëm vendim që në bazë të Kushtetutës, Lëvizja Vetëvendosje në ditët në vijim do të dërgojë shkresë formale presidentit me emrin e personit që e mandatojmë për kryeministër. Pas kësaj presim, po ashtu sipas Kushtetutës që presidenti të dekretojë të propozuarin tonë dhe letrën formale ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës. Sepse ndërkohë ka rifilluar diskutimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe ne presim që të finalizojmë marrëveshjen. Por ashtu siç e përcakton Kushtetuta, VV do të dërgojë letër formale te presidenti me emrin të mandatarit në ditët në vijim”, tha Nagavci.

Sipas saj, sot Kryesia e kësaj partie i ka dhënë mandat të plotë grupit punues që të diskutojë dhe të gjejë zgjidhjen më të mirë që të ketë një marrëveshje sa më parë me LDK.

“Ne presim ta dimë se cila është konkretisht kërkesa e LDK-së. Diskutimet do të vazhdojnë dhe Kryesia i ka dhënë mandat të plotë Grupit Punues që të vazhdojë angazhimin që të kemi sa më parë një marrëveshje. Presim dhe besojmë që edhe LDK-ja në bazë të deklaratave publike që i kanë bërë të jenë të përkushtuar në të njëjtën mënyrë dhe të kemi marrëveshjen sa më parë”, tha ajo.

Nagavci tha se ende VV nuk ka mësuar kërkesat e reja të LDK-së sa i përket formimit të qeverisë.

“Është më rëndësi të dimë çfarë kërkon LDK-ja. Takimi i djeshëm do të vazhdojë sot. Ofertën për LDK e ka bërë Kurti dhe ne presim që LDK-ja të propozojë 6 emrat. Kjo është ajo oferta që ne e kemi bërë dhe nuk ka përgjigje prej asaj”, deklaroi Nagavci.

Back to top button