Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan çështje javësh

Sipas Lekajt, autostrada Prishtinë- Gjilan ndikon pozitivisht në zhvillimin ekonomik

Ndërtimi i autostradës Prishtinës–Gjilan pritet të nisë brenda disa javësh. Kështu ka deklaruar ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj gjatë takimit që zhvilloi me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Hazirin.

Gjatë kësaj vizite janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh për ndërtimin e disa rrugëve urbane dhe rurale duke përfshirë edhe autostradën Prishtinë-Gjilan.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka deklaruar se edhe pse ka pasur kundërshtime për autostradën Prishtinë –Gjilan, punimet e ndërtimit pritet të fillojnë brenda disa javësh. Sipas tij, kjo autorrugë ndikon pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe e lehtëson lëvizjen e qytetarëve.

Lekaj po ashtu ka prezantuar disa projekte infrastrukturore që do kenë impakt pozitiv në jetën e gjilanasve, që kapin shifrën e investimeve 1 milion e 280 mijë euro. Ai po ashtu ka deklaruar se do të investojnë edhe në projektet që kanë qenë në procedurë siç është ndërtimi i rrugës Verbicë e Zhgrovcit që kap shumën 1 milionë e 300 mijë eurove.

Ministri Lekaj potencoi se shumë shpejt do të përfundojnë procedurat për të përfituar nga kontrata me BERZH-in, e cila kap shumën 8.5 milionë euro.

Ndërsa, kryetari i komunës së Gjilanit, Lufi Haziri tha se marrëveshjet e nënshkruara sot janë projekte infrastrukturore për ndërtimin e rrugëve në fshatrat dhe qytetin e Gjilanit. Ai si pjesë të këtyre planeve të përbashkëta veçoi ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, e cila lidh Gjilanin me korridorin e kombit.

Ndryshe, ditë më parë ministri Lekaj ka nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, e cila do të kushtojë 88 milionë euro dhe do të jetë në gjatësi 22.3 kilometra.

Back to top button