Në takimin e Veselit përveç VV-së e LDK-së, mungon edhe presidenti

Ka filluar takimi i thirrur nga Veseli

Kryeparlamentari, Kadri Veseli, ka ftuar për sot në një takim të përbashkët nga ora 11:00, presidentin, kryeministrin, ekipin negociator, si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga partitë opozitare ende të papërfaqësuara në ekipin negociator, LDK dhe VV, për t’u koordinuar për procesin e dialogut me Serbinë.

Megjithatë, në këtë takim të thirrur nga kryeparlamentari Veseli, po mungojnë dy partitë opozitare, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Po ashtu, në këtë takim po mungon edhe presidenti, Hashim Thaçi, raporton rtv21.tv.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu në një prononcim për portalin rtv21.tv, ka thënë se VV nuk do të marrë pjesë në këtë takim të thirrur nga Veseli.

Nga ora 12:00, do të mbahet mbledhja e kreut të LDK-së, Isa Mustafa me grupin parlamentar të kësaj partie. Ndërsa, më vonë kanë paralajmëruar edhe një konferencë për medie.

Veseli ka thënë se para dhe pas çdo takimi të palës kosovare në Bruksel, do t’i ftojë të gjithë akterët politikë nga pozita dhe opozita për t’u koordinuar për fazën finale të dialogut.

Takimi i parë koordinues mes kryeparlamentarit Veseli, presidentit, kryeministrit dhe ekipit negociator për të diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi, u mbajt më 26 dhjetor. Në këtë takim edhe atëherë kanë munguar LDK-ja dhe VV-ja./21Media

Back to top button