Nishani: Gjilani është nderi i Kosovës

Presidenti i parë që nderon heronjtë e Gjilanit

Pas seancës së Kuvendit Komunal, në të cilën u shpall “Qytetar Nderi” i Gjilanit, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në një ceremoni të veçantë të mbajtur në teatrin e qytetit, ka dekoruar tetë personalitete të Gjilanit, të cilët janë sakrifikuar për lirinë e shqiptarëve, me titullin “Nderi i Kombit” për  Idriz Seferin dhe titullin “Dekorata e Artë e Shqiponjës” për Hasan Masuricën, Zeqir Hysen Zeqirin, Vehbi Ibrahimin, Ramadan Agushin, Haki Efendi Sermaxhaj, Rrustem Mustafë Hazirit e Sali Kupinës, pas vdekjes.

Në këtë ceremoni, të organizuar nga kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, morën pjesë personalitetet më të larta shtetërore të Kosovës e Shqipërisë, sikurse edhe familje të dëshmorëve e heronjve të kësaj komune.

Presidenti Nishani, pas shpërndarjes së dekoratave, foli i emocionuar para qindra të pranishmëve.

“Gjilani është nderi i Kosovës, nderi i kombit shqiptar dhe nderi i historisë sonë kombëtare. Qyteti juaj, po ashtu edhe i imi, në historinë tonë kombëtare, është shquar për burra të pushkës dhe të mendjes. Gjilani, Karadaku, por edhe Anamorava e Kosova Lindore, historikisht i kanë vënë gjoksin dhe jetën në dispozicion të mbrojtjes së trojeve shqiptare”, tha Nishani.

Ndërkaq, Haziri tha se Nishani është i pari president që nderon heronjtë e Gjilanit.

“Në përvjetorin e madh të Idriz Seferit, këtij kreshniku të Karadakut, çliruesit të Shkupit e Kosovës, njeriut që i bashkoi pushkët drejt bashkimit të shqiptarëve, dekorimi nga ana e presidentit Nishani me titullin më të lartë shtetëror, është nderi më i madh që i bëhet këtij kolosi dhe personaliteteve të tjera, qytetit të Gjilanit dhe mbarë Kosovës. Ju falënderoj edhe njëherë, që në vitin e Idriz Seferit, ju e rikthyet edhe prezencën tuaj këtu, zotëri president. Ju jeni i pari president që i nderoni heronjtë e Gjilanit”, ka thënë Haziri, duke theksuar se qytetarët e Gjilanit historikisht janë kryengritës në rrethana të luftës, por paqësor në rrethana të paqes.

Përndryshe, në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2015”, presidenti Nishani ka dekoruar Mulla Idriz Gjilanin, Halim Oranën,  Esat Berishën, Hetem Hazirin, Rifat Baftjajrin dhe Ymer Myqybabën./21Media

Back to top button