O’Connell flet për masën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës

Sipas O’Connellit,  situata tregon sa e rëndësishme është që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell ka komentuar taksën prej 10% që ka vënë qeveria e Kosovës të marten për produktet që hyjnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në Kosovë.

O’Connell është shprehur se në përgjithësi Kosova duhet t’i rregullojë marrëdhëniet me fqinjët e saj.

“Vete fakti qe po flasim per tarifa, situata na tregon neve sa e rendesishme eshte qe Kosova dhe Serbia t’i normalizojne marredheniet e tyre.  Kur Kosova dhe Serbia te kene marredhenie normale bilaterale si dy shtete te pavarura, atehere gjerat do te jene shume me te lehta per te dy palet. Ne as qe do te diskutonim per keto ceshtje”, është përgjgjia e ambasadorit që ka bërë ndaj një qytetari në facebook.

O’Connell ka theksuar se është e rëndësishme që të vazhdojnë të fokusohen në gjërat e mëdha, të cilat sipas tij, Kosova po i kërkon.

“Mos te harrojme qe Kosova tani po shkon drejt dy proceseve te medha, ate te anetaresimit ne Interpol dhe planeve per transformimin e FSK”, ka shkruar më tutje ambasadori i Britanisë së Madhe.

Bashkimi Evropian i ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që urgjentisht të shpjegojnë vendimin e tyre për të rritur tarifat me 10% në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiq ka thënë se këto vendime janë një shkelje e obligimeve të Kosovës në kuadër të CEFTA-s. Mirëpo, zëdhënësi i Qeverisë, Halil Matoshi sot për rtv21.tv është shprehur se në raport me CEFTA-n, Kosova ka marrë të gjitha obligimet ndërkombëtare kur ka qenë e përfaqësuar bashkë me UNMIK-un.

Qeveria e Kosovës të marten ka marrë vendim për vendosjen e masave në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ky propozim erdhi nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Kjo masë vendoset për qumështin dhe produktet e qumështit, uji, biskotat, materialet ndërtimore dhe lëngjet e prodhuara në këto dy vende. Por, kjo masë përjashtohen produktet e brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, dy shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kosova përveç që ka importin e mallrave më të madh nga Serbia, këtë vit ka shënuar edhe ngritje të importit nga ky shtet. Vlera e importit të mallrave nga Serbia nga janari i vitit 2018 deri më 15 tetor të këtij viti është rreth 360 milionë euro, kryesisht mallra të industrisë ushqimore dhe të materialit ndërtimor. Ndërkaq, Kosova ka eksportuar mallra në këtë shtet në vlerë jo më shumë se 23 milionë euro./ 21Media

Back to top button