Arrihet punësimi i 6 bursistëve YCS në MIE

Arrihet punësimi i 6 bursistëve YCS në MIE

Organizatat e shoqërisë civile e kanë vlerësuar lartë punësimin e 6 bursistëve në Ministrinë e Integrimit Evropian dhe anulimin e konkurseve publike.

Organizatat e shoqërisë civile patënshprehur shqetësimin e tyre ndaj tentativës së MIE-së, siç thonë ata, për të politizuar shërbimin civil duke refuzuar punësimin e bursistëve nga skema Young Cell Scheme (YCS) të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të shkolluar në universitetet prestigjioze Evropiane, dhe në vend të saj të bëjë punësime publike mbi baza partiake.

Në këtë drejtim, organizatat patën kërkuar nga ministrja në largim Dhurata Hoxha anulimin e menjëhershëm të konkurseve publike në MIE, punësimin e bursistëve nga bursa YCS, si dhe anulimin e çfarëdo mase të kundërligjshme ndaj shërbimit civil të MIE-së. Po ashtu, kanë bërë thirrje ish-kryeministrit në largim Ramush Haradinaj të ndërhy në kthimin e ligjshmërisë brenda ministrisë.

Me 19 gusht 2019, kemi kërkuar nga institucionet respektive shtetërore të ekzekutojnë kompetencat e veta dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershëm me qëllim të pezullimit dhe anulimit të konkurseve brenda MIE-së, si dhe të sigurojnë punësimin e bursistëve YCS. Njëkohësisht, ju kemi drejtuar përfaqësive të vendeve perëndimorë në Kosovë për të asistuar institucionet e Kosovës në kthimin e ligjshmërisë brenda shërbimit civil. Në kuadër të zhvillimeve të fundit, e vlerësojmë lartë punësimin e 6 bursistëve në Ministrinë e Integrimit Evropian dhe anulimin e konkurseve publike. Ne – organizatat e shoqërisë civile – shprehim mirënjohje të thellë për angazhimin e partnerëve tonë ndërkombëtarë drejt ruajtjes së bursës YCS, dhe në këtë drejtim në veçanti dëshirojmë të shprehim falënderim ndaj Zyrës së BE-së në Kosovës dhe Ambasadës Britanike”, thuhet në komunikatën e tyre.

Organizatat e shoqërisë civile si Demokraci për Zhvillim – D4D, Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS, Iniciativa për Progres – INPO, Instituti Columbus, Instituti GAP, Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD, Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane – EPIK, Instituti i Prishtinës për Studime Politike – PIPS, Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP dhe Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu., zotohen se do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet sa i përket bursës YCS dhe punësimin e bursistëve në institucionet shtetërore me qëllim të krijimit të një administrate me integritet, të pavarur dhe profesionale dhe në shërbim të qytetarëve./21Media