Pacolli premton 70 mijë vende të reja pune

Ai ka theksuar se koalicioni i tyre do ta rrisë ekonominë për 8 %

I pari i AKR-së, Behgjet Pacolli u prit sot në Gjilan nga simpatizantë e përkrahës të Aleancës Kosova e Re, të cilët kishin ardhur për t’u njoftuar nga afër me kandidatët e partisë për deputetë.

Kryetari i degës së AKR-së në Gjilan, Ismet Hajdin e hapi këtë tubim ku i pranishëm në mesin e mysafirëve të shumtë ishte edhe Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Në fjalën e tij para qytetarëve Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli tha se koalicioni mes dy partive është bashkim i natyrshëm i cili sipas tij ka origjinë të njëjtë.

“Koalicioni ynë do te krijojë mundësi punësimi dhe rritje ekonomike. Ne do të arrijmë rritje ekonomike prej 8 % qysh në dy vitet e para të qeverisjes, kjo do të krijojë rreth 70 mijë vende të reja pune”, ka theksuar Pacolli, duke treguar për planet e krijimit të tri platformave agro-ekonomike.

Një gjë tjetër që Pacolli nënvizoi në programin e AKR-së, është mbrojtja e mjedisit.

“E shihni sot si shkatërrohet Kosova nga uzurpatorët ilegalë. Vetëm shikoni malet tona të atakuara nga gurëthyesit të cilët e kanë shkatërruar habitatin e kafshëve në Kosovë. Nuk guxon ambienti të shkatërrohet në këtë mënyrë, na kanë kapluar mbeturinat në çdo cep” është shprehur ai duke shtuar se shtyllë e qeverisjes së koalicionit AKR-LDK do të jetë mbrojtja dhe ruajtja e ambientit.

Në fund është bërë edhe prezantimi i kandidatëve për deputetë nga radhët e koalicionit, të cilët u thirrën një nga një në skenë. Të pranishëm nga AKR-ja ishin; Amir Ahmeti, Arta Haxhaj, Islam Pacolli, Ismet Hajdini, Korab Sejdiu, Labinote Demi Murtezi, Mirlindë Gashi, Mirlindë Sopi, Myzejene Selmani, Refiqe Ternava, Sami Boroci, Vesel Makolli, Neshat Asllani, Xhevdet Krasniqi, Satmifer Kryeziu.

“Me kuadro të tilla, ne do ta ndërrojmë strukturën e Parlamentit të Kosovës”, ka thënë në fjalën e tij përmbyllëse Behgjet Pacolli.

Back to top button