Pasuria e Pacollit: Shtëpi, toka, avion privat, vetura, aksione

Pasuria e Pacollit: Shtëpi, toka, avion privat, vetura, aksione

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka pasuri në vlerë prej miliona euro. Vlera e pasurisë së paluajtshme që ai ka në pronësi jashtë Kosovës është rreth 125 milionë euro. Vetëm avioni privat i Pacollit kushton rreth 10 milionë euro, derisa hoteli në të cilin ai është pronar kap shifrën prej 42 milionë euro. Ai posedon edhe tetë vetura në vlerë rreth 1 milionë euro, derisa vlera e parave të gatshme që ai ka në banka sillet rreth 5 milionë euro.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Pacolli ka deklaruar se ka në pronësi pasuri të paluajtshme jashtë Kosovës në vlerë prej 125 milionë euro. Poashtu, ai ka në pronësi edhe disa toka e locale afariste, që kushtojnë miliona euro.

Vetëm një tokë që ai e ka në pronësi jashtë vendit kushton më shumë se 7 milionë euro, derisa një nga shtëpitë që ka në pronësi ai kushton mbi 17 milionë euro. AI ka në pronësi edhe hotelin Sëiss Diamond, vlera e të cilit llogaritet të jetë rreth 42 milionë euro.

Si pasuri të luajtshme, ai ka deklaruar se ka avionin e tij privat që kushton rreth 10 milionë euro, dhe tetë veturat e tij që së bashku kushtojnë rreth 1 milionë euro.

Pasuria e zëvendëskryeministrit të Kosovës nuk mbaron këtu. Ai ka aksione në vlerë miliona euro në 20 kompani, në disa prej të cilave ka aksione 100%.

Pacolli ka edhe miliona euro të kursyera në banka në Prishtinë. Vetëm në një prej këtyre bankave ai ka të kursyera mbi 4 milionë euro. Derisa në dy të tjerat, ai ka të kursyera edhe rreth 600 mijë euro të tjera.

Të hyrat e tij vjetore sillen rreth 2 milionë euro. Këto para ai i merr nga Banka Ekonomike, Mabetex Holding dhe si mëditje nga Qeveria e Kosovës.