Lluka premtoi se Trepça do të bëhet një ndër ndërmarrjet kryesore në vend

Lluka premtoi se Trepça do të bëhet një ndër ndërmarrjet kryesore në vend

Minatorët e ndërmarrjes “Trepça” janë kthyer në vendet e tyre të punës, pas grevës që ka zgjatur një javë në kërkim të plotësimit të kushteve të parashtruara.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka këtë e bëri të ditur përmes një postimi në “Facebook”, duke u shprehur se është arritur një marrëveshje me minatorët e kësaj ndërmarrjeje.

“Sot u dëshmua që dialogu social është forma më e mirë e zgjidhjes së problemve me ndërmarrjet publike. Pas shumë takimeve me Këshillin Grevistë të Minatorëve, Sindikatën e Trepçës dhe Bordin e kësaj ndërmarrje, sot u dakorduam që të vazhdoj puna në miniera”, shkroi Lluka.

Ai premtoi se Trepça do të bëhet një ndër ndërmarrjet kryesore në vend duke thënë se edhe do të nivelizohen pagat.

“- Trepça do të bëhet një ndër ndërmarrjet kryesore në vend dhe kjo do të shihet këtë vit.
-Minatorët do të kenë benefitet që i takojnë dhe që janë kërkuar për shumë vite, të cilat do të trajtohen me ligjin për minatorët. Ndër to, pensionimin e hershëm dhe sigurimin shëndetësorë për shkak të kushteve të vështira që punojnë.
– Minatorët e Artanës dhe të Kishnices do të shohin nivelizim të pagave, me ata të Stan Tërgut, duke filluar nga ky muaj.
– Do të ketë mbikqyrje më të afërt nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Bordi karshi menaxhmentit rreth menaxhimit të kësaj ndërmarrje.
– Menaxhmenti do të ulë shpenzimet e panevojshme dhe do t’i reflektoj këto kursime në rritje të mirëqenies së minatorëve.
-Rritja e performances në Trepçë do të rezultoj me rritje të pagave për minatorët”, shkroi ministri Lluka.

Gjithashtu, ministri i Zhvillimit Ekonomik u shpreh se ka dërguar kërkesë për auditim të detajuar të kësaj ndërmarrje tek Auditori i Përgjithshëm, në mënyrë që të kenë një pasqyrë të qartë të kësaj ndërmarrje.

“Ne do të bëjmë përpekje që në muajin Shkurt të këtij viti, të regjistrohet Trepça si shoqëri aksionare dhe të shpallen pozitat menaxheriale kryesore. Trepça do të ringjallet dhe nuk ka alternativë tjetër!”, është shprehur më tutje Lluka.

Sindikata e minatorëve ka hyrë në grevë më 03 janar, ku kërkesa kryesore ishte rritja e pagave deri 20%, ndërsa kishte edhe kërkesa të tjera./21Media