Përkujtohet 18 vjetori i masakrës së Rezallës

”Viktimat e masakrës së Rezallës janë shembulli i dhunës, represionit të kryera nga ushtria dhe policia serbe”

Është mbajtur manifestimi përkujtimor i 18 –vjetorit të masakrës së Rezallës të komunës së Skënderajt, ku tetëmbëdhjetë vjet më parë forcat serbe vranë dhjetëra civilë të këtij fshati, 14 prej të cilëve edhe sot janë të zhdukur.

Me këtë rast presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se për aq sa ndjejmë dhimbje për këto viktima, në të njëjtën kohë ndihemi shumë krenarë që jemi në vendin epiqendrën e UÇK-së që bëri që vendi ynë të jetë i lirë e i pavarur.

Ai tha se viktimat e masakrës së Rezallës janë shembulli i dhunës, represionit deri në përmasa të gjenocidit të kryera nga ushtria dhe policia serbe.

Thaçi u zotua se institucionet e Kosovës së bashku me  bashkësinë ndërkombëtare do të punojnë që të gjenden edhe të tjerët që nuk janë varrosur dhe kthyer në Kosovë.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës,  Kadri Veseli në fjalën e tij tha se kjo lëndinë është dëshmi se çfarë sakrificash të mëdha bëri populli ynë për të arritur lirinë.

Ai tha se armiku ishte i egër dhe nuk kursente askënd, as fëmijët, as gratë, as pleqtë, por edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe populli i Kosovës në përgjithësi, ishte i vendosur të mos heq dorë, me asnjë çmim, nga ëndrra për liri.

Veseli shtoi se ky fshat kishte një barrë të rëndë gjatë luftës çlirimtare, duke u bërë mburojë e gjallë e rrugës kryesore që shpinte në Shtabin e Përgjigjëm të Ushtrisë Çlirimtare në Likovc.

Back to top button