Prishtinasit protestuan kundër zhurmës së kafiterive

Banorët kanë thënë se gjendja është dramatike

Banorët e lagjes “Qendra” kanë protestuar sot para Komunës së Prishtinës, për shkak të zhurmave të lartë të kafeneve, të cilat zgjasin deri në orët e vona të mbrëmjes.

Shefki Ukaj, banor i kësaj lagje, ka thënë se gjendja në këtë lagje është bërë dramatike.

“Gjendja në vitin e fundit është bërë dramatike. Deri në orën 02:00, kemi muzikë shfrenuese. Duhet ditur se kemi njerëz të sëmurë, pleq, fëmijë. Nuk është shqetësimi i vetëm zhurma. Është edhe çështja e parkingjeve, më së paku ne i parkojmë aty, ne nuk kemi ka me hy as ka me dal”, ka thënë ai.

Për shkak të kësaj situate, ai ka thënë se janë të detyruar edhe t’i shesin shtëpitë e tyre.

Të njëjtin hall ka edhe Violeta Geci.

“Jemi detyru të dalim në protestë nga zhurma e kafiterive. Kemi banorë të sëmurë. Nuk po mundemi me nejt në banesat tona”, ka thënë ajo.

Drita Begraci, që tri vjet nuk ka dalur nga shtëpia e saj, për shkak të gjendjes shëndetësore. Ajo ka thënë se sot ishte e detyruar të dal të protestojë.

“Jemi si me qenë në Afrikë që tri vjet nuk kam dal jashtë. Me zor më kanë marrë sot për krahu. Zhurmë e madhe, miza, mijë…nuk po dimë çka me bo”, ka thënë ajo.

Shipe Shkodra ka thënë se nëse komuna e Prishtinës nuk reflekton janë të detyruar të ndërmarrin diçka vet.

Sipas protestuesve, dy kafiteri po e prishin rendin dhe qetësinë publike, duke e thyer ligjin dhe duke i terrorizuar banorët deri në orët e vona të mbrëmjes.

Back to top button