Prokuroria nuk ka shpjegim për pasurimin milionësh të Burdushit

Prokurori ka thënë gjatë trajtimit të të dëmtuarve i pandehuri kishte kërkuar dhe marrë para nga 1.000 deri në 6.000 euro

Prokurori Fatos Ajvazi në seancën gjyqësore për rastin e Burdushit në Gjykatën Themelore të Prizrenit ka thënë se vazhdojnë të mbesin prapa kërkesës për urdhër ndalues për asetet e Burdushit.

Ai ka thënë se Prokuroria gjatë hetimeve ka analizuar dhe vlerësuar të gjitha pasuritë e të pandehurit, e po ashtu ka analizuar edhe veprimtarinë e tij.

“Kemi ardhur në përfundim se i pandehuri në vitin 2005 ka regjistruar biznesin e tij si ordinanca te Burdushi, me veprimtari mjekësore e që sipas provave që janë siguruar gjatë hetimit, i njëjti këtë veprimtari e ka ushtruar pa pasur licencë nga Ministria e Shëndetësisë, e në veçanti pa pasur thirrje akademike për këtë veprimtari”, ka thënë prokurori Fatos Ajvazi.

Më tej, ai ka shtuar se në provat që janë siguruar prokurori i shtetit ka parë se edhe në vitin 2008, i pandehuri ka hapur biznes me emrin “Urimi”, me veprimtari të shërbimeve ushqimore në këtë rast restorant. Sipas prokurorit, Burdushi nga bizneset e tij nga viti 2005 ka përfituar 2.6 milionë euro.

“Gjatë hetimeve deri tani, rezulton se qarkullimi total në këto dy kompani të cekura nga 2005 – 2018 kap shumën e 115.000 euro të deklaruar në ATK nga vet i pandehuri, kurse nga pasuria e të pandehurit e cila është fituar gjatë kësaj periudhe arrin shifrën rreth 2 milionë e 600 mijë euro”, ka shtuar prokurori.

Prokurori ka vazhduar duke thënë se i pandehuri me anë të mashtrimit ka trajtuar të dëmtuarit për sëmundje, të cilat edhe me shkencën e mjekësisë nuk kanë shërim, e për të cilat kërkohet përgatitje e veçantë akademike.

“I njëjti ka mashtruar duke shëruar sëmundje, epilepsi, kancer, të ngecur në të folur, infertilitetit e sëmundje të tjera të cilat i pandehuri i kishte moto në librin e tij të vitit 1998”, ka thënë prokurori Ajvazi.

Ndërkohë, gjatë seancës, Burdushi e ka akuzuar prokurorin për punë joprofesionale, por gjyqtari Luan Berisha ia ka ndërprerë fjalën dhe tërhequr vërejtjen që të mos personalizojë prokurorin si person, por vetëm të arsyetojë kundërshtimin e tij me prova materiale.

Burdushi i ka quajtur të pabaza disa fjalë që i ka thënë prokurori, sepse sipas tij për pronat dhe pasuritë që i posedon ka dokumentacion të rregullt”.

“Kundërshtoj prokurorin për biznesin e hapur në vitin 2005 me emrin Burdushi, ordinancën për të cilën edhe në Ministri të Shëndetësise deri në vitin 2010 kam ofruar fakte incizime dhe kam bërë kërkesë që të marr licencë nga Ministria, pasi lëmia ime nuk ka të bëjë me mjekësi, puna ime është e veçantë, është shpirtërore. Shërbime dhe këshilla shpirtërore”, ka shtuar Burdushi, raporton kallxo.com

Në seancë është përmendur se gjatë trajtimit të të dëmtuarve i pandehuri kishte kërkuar dhe marrë para në shifra të ndryshme nga 1.000 deri në 6.000 euro.

Sipas Prokurorisë,  të gjitha këto mjete janë realizuara me vepra për të cilat dyshohet, të njëjtat janë shfrytëzuar për blerjen e pasurive për të cilat kërkohet urdhëri ndalues.

“Prokuroria e shteti për të gjitha këto pasuri ka siguruar edhe raporte juridike të lidhura në mes të pandehurit dhe personave tjerë si shitës”, ka përfunduar prokurori, raporton Kallxo.com

Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi” ishte arrestuar në nëntor të vitit të kaluar. Policia e Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren kishte bastisur shtëpinë e “Burdushit” nën arsyetimin për shmangie nga tatimi dhe mashtrim. Në po të njëjtin muaj ndaj “Burdushit” u ngrit aktakuzë. “Burdushi” akuzohet se nga data 20.06.2014 deri me 12.08.2014 në Prizren, duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, ose për t`i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e të dëmtuarit. Në seancën e 22 nëntorit të vitit të kaluar Hysri Peqani, mjeku popullor i njohur si ‘Burdushi’ është dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit me 1 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, për veprën penale mashtrim. Në po të njëjtin vendim ‘Burdushit’ Gjykata ia ka ndaluar ushtrimin e ‘profesionit’ për tri vjet.

Back to top button