Qeveria amerikane përmirëson kushtet në Klinikën e Pediatrisë

Ismaili dhe Kosnett përuruan investimet e reja

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili dhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, përuruan sot investimet e reja nga qeveria amerikane në vlerë prej 150 mijë dollarë në Klinikën e Pediatrisë.

Ismaili tha se me investimet e reja ky repart do të jetë në gjendje të funksionojë shumë më mirë.

Sot është një ngjarje pozitive për shëndetësinë kosovare. E kemi transformuar edhe një repart që për një kohë të gjatë nuk ka pasur kushtet e nevojshme për ofrim cilësor të shërbimeve. Me investimet e reja në vlerë prej 150 mijë dollarëve ky repart do të jetë në gjendje të funksionojë shumë më mirë. Ne jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e madhe dhe direkte nga shteti mik i SHBA-ve për Kosovën”, tha Ismaili.

Kosnett, nga ana e tij, u shpreh se “Ambasada Amerikane ka kënaqësinë të ndihmojë sektorin e shëndetësisë në Kosovë dhe pacientët e klinikës pediatrike të Onkologjisë përmes këtij projekti për rinovim”.

Investimet në repartin e Hemato-Onkologjisë përfshijnë rinovimin e infrastrukturës së përgjithshme dhe kushteve sanitare të repartit, duke përfshirë investime në renovimin e shkallëve, mureve, tavaneve dhe zëvendësimin e tërësishëm të dritareve të shkallëve.

Sipas Ismaili, të gjitha këto investime janë pjesë e projekteve për përmirësimin e kushteve nëpër Institucionet Publike Shëndetësore që për qëllim kanë ofrimin e shërbimeve sa më të mira për pacientët.

Back to top button