"Raporti nga përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë është plotësisht i pa vërtetë dhe i pa bazuar"

“Raporti nga përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë është plotësisht i pa vërtetë dhe i pa bazuar”

Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se raporti i publikuar dje nga përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, për sa i përket zvogëlimit të vendeve të punës në Kosovë në vitin 2018, për 17 mijë vende pune, është plotësisht i pa vërtetë dhe i pa bazuar.

Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Banka Qendror e Kosovës, por edhe Raporti Financiar për Shpenzimet e Buxhetit për vitin 2018, për zhvillimet makroekonomike në Kosovë flasin krejt ndryshe. Nuk na befason paraqitja e përfaqësuesit të BB me këto shifra, por jemi befasuar me gatishmërinë e kryetarit të LDK, z. Isa Mustafa, me profesion ekonomist, Profesor Universitar dhe akademik, për shfrytëzimin e këtij informacioni, pa një analizë profesionale e kritike ashtu siç mendojmë se i takon. E kuptojmë nevojën e kritikës së opozitës për Qeverinë, por jo me çfarëdo mjeti dhe nga çfarëdo niveli“, thuhet në komunikatën e dërguar.

Sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga ASK lidhur me punësimin dhe strukturën e aktivitetit ekonomik të popullsisë, numri i të papunëve në vitin 2018 është zvogëluar për 11.611 persona, që do të thotë, shkalla e papunësisë është zvogëluar për 1% në krahasim me vitin 2017.

Ecuritë makroekonomike në Kosovë në vitin 2018 ishin si vijon: norma e rritjes/shtimit/ekonomik 4.2%, investimet publike, rritje 13,1%, remitencat 6,0%, punësimi në sektorin publik 5,2%, investimet në sektorin privat 6,4%.

Raporti në fjalë nuk e qartëson se cilat janë kriteret dhe metodologjia e përdorur për hartimin e një raporti me konstatimin përfundimtar se janë humbur 17 mijë vende të punës dhe ne si Qeveri, menjëherë kemi kërkuar informacione të sakta se cili është burimi dhe cilat janë metodat e punës në mbledhjen dhe paraqitjen e këtyre shifrave“, thuhet në përfundim të komunikatës së dërguar.