Qeveria premton mbështetje pas dëmeve nga erërat në Pejë

Ministrja Bajrami tha se orët e humbura të mësimit duhet të kompensohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në kuadër të vizitës në regjionin e Dukagjinit, ku ka inspektuar nga afër dëmet e shkaktuara në këtë javë nga erërat sot vizitoi edhe komunën e Pejës. Ai u informua se edhe në këtë komunë ka dëme në shtëpi, shkolla e biznese.

Derisa pa nga afër dëmet në shkollën ekonomike “Ali Hadri” në Pejë, Kurti tha se janë në pritje të vlerësimit të dëmeve dhe pastaj do shohin se çka mund të bëjnë për përmirësimin e kësaj gjendjeje.

Kurse, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami shprehu gatishmërinë që brenda mundësive buxhetore të ndihmohet edhe renovimi i kësaj shkolle në Pejë dhe qytetet tjera ku janë dëmtuar shkollat nga erërat që kapluan vendin gjatë kësaj jave. E për shkak të gjendjes së krijuar meqë mësimi nuk po mbahet, Bajrami tha se orët e humbura të mësimit duhet të kompensohen.

Erërat e forta dëme të mëdha ka shkaktuar dhe tek fermerët pejan për të cilët ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa ofroi mbështetje që këta fermerë të rimëkëmbën sa më parë. Ai tha se do shikojnë mundësinë për të ndërtuar një sistem të mirëfilltë të sigurimit të produkteve bujqësore.

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri tha se kjo komunë ka pësuar dëme të shumta nga erërat e forta. Ai tha se komisionet janë duke e evidentuar dëmin e shkaktuar por që presin përkrahje nga Qeveria e Kosovës për të sanuar sa më parë këtë gjendje.

Kurti vizitën e tij të parë si kryeministër i Kosovës i bëri në Klinë, Istog e Pejë dhe fshatrat e shkollat ku janë shkaktuar dëme nga erërat që frynë në këtë anë të Kosovës.

Back to top button