Rasti ‘Pronto’, ndryshohet aktakuza ndaj Adem Grabovcit dhe Besim Beqajt

Sot ishte paraparë që të përfundojë gjykimi në rastin “Pronto’’

Në përfundimin e procesit gjyqësor kundër Adem Grabovcit dhe 11 të akuzuarëve të tjerë për përgjimet në rastin ‘’Pronto’’ veprën penale shkelja e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës u ndrysha aktakuza.

Sot ishte paraparë që të përfundojë gjykimi në rastin “Pronto’’ dhe të akuzuarit të jepnin fjalën përfundimtare, mirëpo ndryshimi i aktakuzës nga prokurorja e rastit Drita Hajdari bëri që seanca të ndërpritet dhe të vazhdojë me datën 30 dhjetor për dëgjimin e dëshmitarëve Fitim Krasniqi dhe Nuredin Krasniqi.

Prokurorja ndryshoi aktakuzën në drejtim të Arbenita Pajazitit për pikën e parë të aktakuzës dhe për Adem Grabovcin dhe Besim Beqajn për pikën 4 të aktakuzës.

Aktakuzës ashtu që në vend të fjalës ‘’Arbenita Pajaziti si shefe e njësisë për furnizim në Departamentin e Farmacisë në Ministrisë e Shëndetësisë’’ do të qëndrojë fjala si “shefe e sektorit të biofarmacisë në agjencinë për produkte medicinale në Ministrinë e Shëndetësisë’’.

Ndërsa ndaj të akuzuarëve Adem Grabovcit dhe Besim Beqajt u ndrysha pika 4 e aktakuzës si në vijim “Adem Grabovci si deputet dhe Besim Beqaj si ministër për zhvillimin ekonomik duke keqpërdorur autoritetin zyrtar në kohën deri sa ishte në fuqi konkursi i datës 31.10.2011 për pozitat e drejtorëve në ndërmarrjet publike ‘Train-Kos dhe Infra-Kos’’ të akuzuarit përmes bisedës 9.12.2011 kanë bashkëpunuar për anulimin dhe rishpalljen e konkurseve  për drejtorë të ndërmarrjeve publike ‘Train-Kos dhe Infra-Kos dhe anulimin e konkursit  për kryeshef ekzekutiv në ato ndërmarrje me ç`rast Beqaj i thotë Grabovcit ‘’a t`i thom atyne dyve, dytë t’i rishpallim Train Kos dhe Infra kos’’, ndërsa Grabovci i thotë Beqajt ‘’Sejdës i thashë po edhe atij tjetrit nëse don thuaj edhe atij tjetrit” si dhe Beqajt thotë ‘’dytë të ja rishpallim edhe tanaj shohim, ndërsa i pandehuri Grabovci përgjigjet “okej, okej, masi të shpallët ky tjetri”. I pandehuri Beqaj përgjigjet “tani i shpallim dytë”. I pandehuri Grabovci “po dytë”. Tutje i pandehuri Beqaj “edhe i zgjedhim edhe bordet’’, duke tentuar që përmes anulimit të konkurseve dhe rishpalljes së tyre të krijojnë kushte për caktimine  personave sipas pikëpamjes personale dhe politike duke mohuar të drejtat e personave të tjerë që kanë konkurruar më parë.

Ndërsa me datën 12.12.2011, biseduan për çështjen e marrjes së vendimit për Postën dhe Telekomin e Kosovës, ndërsa me datën 13.12.2011 respektivisht në ditën kur bordi i drejtorëve në PTK vendoste për pozitën e ushtruesit të detyrës kryeshef ekzekutiv në PTK, i akuzuari Beqaj i thotë Adem Grabovcit ‘’thuaja lirisht asnjë vendim asnjë hap gjatë ushtrimit të detyrës veç ka me ushtru detyrë”, për çka  akuzuari Grabovci i ka thënë “okej, okej…’’ me çka të akuzuarit kanë tentuar t`i mohojnë dhe kufizojnë të drejtat dhe kompetencat e ushtruesit të detyrës së kryeshefit në PTK me çka kanë kryer veprën penale shkelja e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës në tentativë nga neni 193 par.4 lidhur me par.1 të KPRK lidhur me nenin 28 të këtij ligji në pjesën tjetër mbeti e pandryshuar.

Deri këtu ka qenë ndryshimi i pikës 4 të aktakuzës.

Ndryshimi i aktakuzës bëri që avokati Florent Latifi mbrojtës i të akuzuarit Adem Grabovci  të propozoi që si dëshmitar të dëgjohet Fitim Krasniqi, ndërsa avokati Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Besim Beqaj propozoi Nuredin Krasniqin të deklarojë para gjykatës në cilësinë e dëshmitarit.

Gjykata vendosi që në seancën e të dëgjohen dëshmitarët Fitim Krasniqi dhe Nuredin Krasniqi.

Në Gjykatën e Prishtinës po vazhdon procesi për rastin “Pronto” ku të akuzuar janë njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare, përfshirë ish-deputetin Adem Grabovci, ish-ministrin Besim Beqaj, ish-deputetin Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministrin Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltarin politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtorin e Bordit të Ndërmarrjes Publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtorin e Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefen e Njësisë për Furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti

Adem Grabovci akuzohet nga Prokuroria Speciale me 9 pika të aktakuzës.

Sipas aktakuzës, Adem Grabovci gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011, kishte komunikuar me zyrtarë të lartë për caktimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në pozitën e kryeshefave ekzekutivë të bordit të drejtorëve  në ndërmarrjet publike, ‘’Train-Kos’’, ‘’Infra-Kos’’, ‘’Hidro-Drini’’, ‘’Radoniqi-Dukagjini’’.

Sipas Prokurorisë Speciale, 11 personat e lartpërmendur akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje.

Back to top button