Tahiri: Avdullah Hoti është mjeshtër i huqjeve

Tahiri: Avdullah Hoti është mjeshtër i huqjeve

Ministri në largim i drejtësisë, Abelard Tahiri ka reaguar pas takimit të liderëve të VV-së Albin Kurtit dhe LDK-së Isa Mustafës.

Tahiri përmes një postimi në Facebook ka thënë se Avdullah Hoti është për keqardhje, pasi që pas dy muaj negociata të VV-së dhe LDK-së ende nuk ka dalë një deklartë “u pajtuam që të merremi vesh”.

“Avdullah Hoti është mjeshtër i huqjeve. Është për keqardhje që në mënyrë kaq irracionale e me deklarata pompoze, Hoti flet për transparencën, kur as pas dy vite opozitarizmi të përbashkët, dhe as pas dy muajsh negociata, transparenca e LDK-së dhe VV-së nuk ka kaluar më shumë se një fjali: “u pajtuam që të merremi vesh”.Thanë se kanë harmonizuar qëndrimet e asnjë qëndrim s’është bërë i njohur. Thanë se kanë bashkuar programin, por asnjë shkronjë prej tij s’e kanë prezantuar për informim të qytetarëve. Thanë edhe shumë gjera të tjera, përderisa me vepra po dëshmojnë se ky standard i ri i transparencës, është asgjë më shumë, sesa mungesa e plotë e saj“, ka shkruar Tahiri.

Tahiri ndër tjera ka shkruar se e gjithë kjo është një dëshmi se çfarë modeli të qeverisjes do ua shërbejnë LDK-ja dhe VV-ja.

“Në fakt, kjo është veçse një dëshmi pararendëse e modelit të qeverisjes që LDK-ja dhe Vetëvendosja presin t’ua shërbejnë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Një model i plogësht, pa ide e pa zgjidhje, kreativiteti i të cilit nuk shkon më larg sesa kamuflimi i lodhtë i Avdullah Hotit rreth transparencës që na pret”, ka shkruar Hoti.

Takimi i sotëm mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ka përfunduar pa një marrëveshje përfundimtare. /21Media