Rikthehen në Shqipëri personat e fundit të strehuar në Kosovë

Haradinaj: Vazhdojmë të jemi të gatshëm për çdo ndihmë Shqipërinë

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj ka njoftuar se janë kthyer në vendlindje personat e fundit nga Shqipëria të cilët ishin vendosur në Kosovë pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Sot nga Parku Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman, u rikthyen për në vendlindje edhe personat e fundit që ishin strehuar dhe ditë më parë u rikthyen edhe të strehuarit në Shkollën e Mesme “Gjon Buzuku” në Prizren. Kësisoj u përmbyllë edhe kjo etapë e akomodimit dhe strehimit, në objektet publike. Puna në Parkun Inovativ Trajnues do të vazhdoj, në misionin që ka, zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.Çdo ditë kemi raporte nga Institucionet tona për rikthim të atyre që qëndruan në shtëpi private dhe objekte hoteliere në vend.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai ka falënderuar të gjithë institucionet dhe të gjithë ata që ndihmuan në tejkalimin e krizës që shkaktoi tërmeti në Shqipëri.

“Edhe njëherë falenderoj Institucionet tona, të gjitha pa dallim, që u angazhuan pandalë për të ndihmuar në çdo nevojë operacionet e kërkim-shpëtimit, dhënien e ndihmave dhe strehimit. Falenderoj, Institucionet e Shqipërisë për bashkëpunimin, vullnetarët e shumë, shoqatat humanitare, organizatat joqeveritare, autoritetet Komunale, Ambasadën Gjermane në Prishtinë, GIZ dhe çdo vullnetmirë, që hapën dyert dhe zemrat e tyre në gjithë këtë mision. Ne do vazhdojmë të jemi të gatshëm, për çdo ndihmë dhe angazhim të nevojshëm, që Qeveria e Shqipërisë mund ta ketë.”, ka përfunduar Haradinaj.

Më 26 nëntor të këtij viti një tërmet 6.4 ballë ka goditur Shqipërinë, si pasojë e këtij tërmeti kanë vdekur mbi 50 persona, kurse janë lënduar rreth 900. Tërmeti ka shkaktuar edhe dëme materiale, shumë familje kanë mbetur pa kulm mbi kokë./21Media

Back to top button