RrGK: Logo e 11 vjetorit të pavarësisë, diskriminuese

“Logoja aktuale është diskriminuese dhe e papranueshme”

Këto ditë u lansua logoja e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në të cilin shihet figura e një burri në qëndrimin gatitu, me mbishkrimin “Kosova, nder dhe detyrë.” Kjo i ka shtyrë disa aktivistë të të drejtave të njeriut që ta modifikojnë logon, në shenjë pakënaqësie. Megjithatë, pakënaqësitë nuk kanë mbaruar.

Sot Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) dhe Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë (Lobi) kanë reaguar lidhur me këtë logo, që ata e konsiderojnë ‘diskriminuese’ dhe ‘të papranueshme’, meqë sipas tyre nuk njeh kontributin e grave në shtet-ndërtim.

“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë (Lobi) janë tejet të indinjuara me lansimin që i’u bë rishtazi logos së 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ku në plan të parë paraqitet vetëm silueta e një burri. Ne i’u bashkangjitemi opinioneve të përfaqësuesve të shoqërisë civile, dhe bashkëndajmë mendimin se logoja aktuale është diskriminuese dhe e papranueshme, meqenëse nuk njeh kontributin e grave në shtet-ndërtim.”, bëhet e ditur në reagimin e tyre.

Më tej, RrGK dhe Lobi vlerësojnë që kjo siluetë aktuale mohon promovimin e kontributit të barabartë gjinor, e specifikisht kontributin e madh të grave në shoqërinë kosovare.

“Tutje, RrGK dhe Lobi nuk pajtohen me deklaratën e dhënë nga përfaqësuesi i protokollit të shtetit, z. Orhan Hajrizi, sipas të cilit logoja është dizajnuar në mënyrë që të konsiderohet si dedikim drejt formimit të Ushtrisë së Kosovës. Jemi të bindura që puna dhe përfaqesimi i identitetit tonë shtetëror është promovuar shumë herë në këto vite nga gratë kosovare, e madje arritjet e tyre janë brohoritur nga vetë zyrtarët shtetërorë. Prandaj, këto merita duhet të konsiderohen si të barabarta për nga niveli i rëndësisë dhe ri-theksojmë se njohja e kontributit të grave në ndërtimin e imazhit shtetëror duhet të reflektohet edhe në logon e 11 vjetorit të pavarësisë.”, bëhet e ditur në reagim.

Me idenë e Teuta Hoxha Jahajt, dizajneri Isuf Shala ka vendosur figurën e gruas pranë logos së 11 vjetorit./21Media

Back to top button