Sherifi: Kosova u vetëmbrojt me vendosjen e taksës pas agresionit të Serbisë

“Qëndrimi i NISMA’s në dialog është i ditur”

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, i shoqëruar nga deputetë të këtij subjekti kanë zhvilluar një takim me Shefen e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolovan.

Në këtë takim, siç theksohet,  Apostolova ka theksuar prioritetet e BE-së për Kosovën në vitin 2019. Gjitashtu, me theks të veçantë në këtë takim u fol për Dialogun Kosovë-Serbi, Liberalizimin e Vizave, Taksën 100% ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje-Hercekovina, Reforma në Administratën Publike, Reforma në Arsim, Reforma Zgjedhore, Ligjin për Paga dhe për Mjedisin.

Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate Bilall Sherifi ka thënë se Kosova ka përfunduar gjitha detyrimet për Liberalizimin e Vizave dhe pret që vendet e BE-së në pjesën e parë të vitit 2019 t’i mundësojnë qytetarëve të Kosovës levizjen e lirë.

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, Sherifi, siç ka bërë të ditur Nisma, ka thënë se qëndrimi i NISMA’s në dialog është i ditur.

“Ne nuk pranojmë që temë diskutimi të jetë ndarja e territorit apo shkëmbimi i territoreve. Me formimin e Ekipit Shtetëror për dialog me Serbinë, bashkëdrejtues i të cilit është Kryetari i NISMA’s z. Fatmir Limaj, besojmë që do të ketë progres në këtë çështje” , ka thënë ndër tjerash Sherifi.

Lidhur me Taksën e vendosur ndaj Serbisë dhe B&H-së, Kryetari i Grupit Parlamentar  të Nisma-s ka theksuar se është një vetëmbrojtje ndaj veprimeve që ka bërë ndër vite Serbia ndaj Kosovës.

“Taksa nuk duhet të largohet derisa pala Serbe të ndryshoj veprimet që ka bërë deri tani ndaj Kosovës. Çdo popull ka të drejt të mbrohet kur sulmohet, ne po mbrohemi nga sulmet agresive që po bën Serbia ndaj Kosovës”, ka shtuar Sherifi.

Sipas Sherifit,  NISMA Socialdemokrate është e përkushtuar që gjatë vitit 2019 të jep kontributin e saj në gjitha çështjet që janë prioritet për vendin”, shkruhet në njoftimin e Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate.

Kosova ka vendosur masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës më 21 nëntor, ndërsa më 28 dhjetor të vitit 2018 kjo taksë ka hyrë në fuqi edhe për brendet ndërkombëtare që importohen nga këto dy shtete.

Back to top button