Simiq tha se deputetët vendimin për kthim në institucione e morën në interes të popullit serb në Kosovë

Simiq tha se deputetët vendimin për kthim në institucione e morën në interes të popullit serb në Kosovë

Kreu i Listës Serbe, Slavko Simiq tha të hënën se sipas vendimit të tyre, deputetët e kësaj liste janë kthyer në Parlamentin e Kosovës, pasi në tetor kishin ngrirë pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës, ndërsa u shpreh kundër transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.

Simiq për agjencinë serbe të lajmeve Beta, tha se deputetët vendimin për kthim në institucione e morën në interes të popullit serb në Kosovë, i cili e ka mbështetur këtë, ndërsa vendimin e ka përkrahur në emër të Qeverisë së Serbisë edhe drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq.

Ai tha se përfaqësuesit e Listës Serbe dëshirojnë që përmes institucioneve të Kosovës të mbrojnë interesat e tyre vitale, ku përfshihet edhe vazhdimi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Për ne është me interes të veçantë që përmes institucioneve të parandalojmë Prishtinën që të transformojë FSK-në në forca të armatosura të Kosovës. Jam i sigurt se do të arrijmë sukses në këtë, pasi ideja e presidentit Hashim Thaçi nuk ka gjetur mbështetjen as të bashkësisë ndërkombëtare, as të NATO-s dhe as mbështetjen e përfaqësuesve të bashkësisë serbe, të cilët janë fuqishëm kundër kësaj ideje”, tha Simiq.

Për më tepër ai ka theksuar se Lista Serbe do të japë mbështetje të fuqishme që sa më parë të fillojë me formimin e Asociacionit të komunave serbe dhe se do të parandalojë përmes institucioneve Prishtinën zyrtare që “njëanshëm të hyjë në aranzhim për Asociacionin pa përfaqësuesit serbë dhe bashkësinë serbe”.

I pyetur nëse ishte në dijeni se kryeministri serb Aleksandar Vuçiq në intervistën për “Standard”-in e Vjenës, para vendimit të tyre për kthim në institucionet e Kosovës, kishte paralajmëruar se deputetët serbë do të kthehen në Kuvend dhe se për këtë ishte arritur marrëveshja të mërkurën, Simiq tha se është në dijeni të kësaj interviste dhe se kryeministri ka komunikime të rregullta me përfaqësuesit politikë të bashkësisë serbe në Kosovë.

“Natyrisht, ne jemi konsultuar edhe me qeverinë tonë dhe vendimi për kthim në institucione është marrë në kohën e duhur”, ka thënë Simiq.