OAK e shqetësuar edhe me interesimin e bizneseve për të investuar jashtë vendit

OAK e shqetësuar edhe me interesimin e bizneseve për të investuar jashtë vendit

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) shpreh shqetësimin e saj për gjendjen aktuale në vend si në aspektin ekonomik, trendin e ngecjeve ekonomike dhe pengesat e mëdha të krijuara ndër vite.

“Në bazë të analizave të bëra në kontinuitet nga OAK, kjo situatë po krijohet si rezultat i mos përmirësimit të kushteve të të bërit biznes, gjë për të cilat OAK është duke dërguar vazhdimisht qindra letra dhe realizuar me dhjetëra takime me institucionet përkatëse”, thuhet në një komunikatë nga Oda e Afarizmit të Kosovës.

OAK shpreh shqetësim edhe për interesin e bizneseve për të investuar jashtë vendit dhe jo brenda, e kjo për shkak të kushteve më të mira dhe ofertave që po iu ofrojnë vendet e tjera.

“Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare që të rrisin përpjekjet politike për krijimin e një klime më të mirë dhe përmirësimin e kushteve aktuale”, thuhet në komunikatë.

OAK si çdo herë është e gatshme për të dhënë kontributin maksimal në këtë drejtim, së bashku me bizneset që përfaqëson.