Të evitojmë pengesat burokratike që të sigurojmë investime të huaja

Përfaqësuesit e BERZH-it thanë se do të ofrojnë përkrahje për ta mbështetur Kosovën në sektorin e energjisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot deklaroi se është e nevojshme që të evitohen pengesat burokratike në mënyrë që të sigurojmë investime të huaja direkte.

“Lehtësimi i procedurave burokratike dhe evitimi i pengesave të tjera burokratike është tejet i nevojshëm, për të siguruar investime të huaja direkte dhe për të garantuar stabilitet”, tha Haradinaj.

Këto deklarata, Haradinaj i bëri në takimin e thirrur nga ai me ministrin Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, përfaqësuesit e BERZH, ZRRE dhe KOSTT, si dhe përfaqësues nga institucione të tjera, përgjegjëse në fushën e energjisë.

Qëllimi i këtij takimi ishte njohja e procedurave dhe pengesave eventuale burokratike dhe angazhimi i të gjitha institucioneve për të evituar këto pengesa, në të mirë të investimeve strategjike dhe sigurimin e alternativave të sigurta në prodhimin e energjisë.

Po ashtu, në këtë takim u diskutua për zhvillimet në sektorin e energjisë dhe për hapat që duhet ndërmarrë në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike sipas standardeve ndërkombëtare.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj njoftoi përfaqësuesit e BERZH-it, për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike në Kosovë, për kapacitetet energjetike të Kosovës dhe për projektet e reja të energjisë së ripërtritshme, si hapa të rëndësishëm për zhvillimin e këtij sektori dhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai falënderoi BERZH-in për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës, në zhvillimin ekonomik të vendit, duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen dhe garancinë për investime të sigurta në vend.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj vlerësoi se ka investitorë të cilët janë duke shprehur interesimin e tyre për investim në ndërtimin e kapaciteteve për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme, të cilat do të hapin rrugë për vende të reja të punës, sigurimin e energjisë elektrike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndërkaq, përfaqësuesit e BERZH-it thanë se do të ofrojnë përkrahjen e tyre dhe të Komunitetit të Energjisë për ta mbështetur Kosovën në sektorin e energjisë.

Back to top button