“Të krijohen komisione në PK që merren me policët me probleme psikike”

Policia pranon se janë edhe një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve të cilët kanë probleme të ndryshme

Zyrtarët policorë vazhdimisht duhet t’u nënshtrohen kontrolleve psikologjike e jo vetëm në momentin kur pranohen si pjesëtarë të këtij institucioni. Kështu kanë pohuar njohësit e çështjeve të sigurisë në Kosovë të cilët theksojnë se policët që konstatohet që kanë probleme të llojit psikik duhet menjëherë t’u merren armët.

Të martën e kësaj jave ish-zyrtarja policore, Valdete Bllaca ka vrarë katër familjarët e saj pastaj edhe veten, krimi dyshohet se është bërë me armë zyrtare. Policia e Kosovës kishte konfirmuar se Bllaca kishte pasur probleme mendore.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës pranon se janë edhe një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve të cilët kanë probleme të ndryshme shëndetësore/psikologjike.

Sipas këtij njoftimi nga policia, deri më tani janë 20 zyrtarë policorë të liruar nga arma zyrtare për arsye të problemeve shëndetësore të natyrës psikologjike. Nga ky numër, katër zyrtarë gjenden në pushim mjekësor të kategorizuar si rast i veçantë shëndetësor.

Tutje thuhet se bazuar në kriteret dhe standardet mjekësore për testimet mjekësore periodike për Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës (NJSO), janë realizuar kontrollet mjekësore ndaj zyrtarëve policorë të Njësiteve të Specializuara, ku 15 zyrtarë policorë nuk kanë përmbushur kriteret për të qenë operativë në Njësinë Speciale Operative.

Lidhur me këtë situatë brenda Policisë së Kosovës, njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi thotë  se kontrollet psikologjike ndaj policëve duhet të jenë të vazhdueshme, e sidomos pas një rasti traumatik derisa ka qenë në krye të detyrës.

Ibishi: Kontrollet psikologjike duhet të jenë të vazhdueshme ndaj zyrtarëve policorë.

Sipas Ibishit, edhe institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë hapat e nevojshme për parandalimin dhe trajtimin si duhet të këtyre rasteve.

Njohësi i çështjes së sigurisë thotë se duke pasur raste të tilla në Policinë e Kosovës rrezikon edhe siguria publike.

 

Ibishi apelon që në rast kur një pjesëtar i Policisë së Kosovë ka probleme psikike t’i merret arma zyrtare deri në momentin kur psikologu konstaton se gjendja e tij është përmirësuar.

Edhe Avni Islami, njohës i çështjeve të sigurisë në Kosovë, i ka thënë kp-së se kontrollet mjekësore në aspektin psikik duhet t’u nënshtrohen edhe krerët më të lartë të institucionit të Policisë së Kosovës.

Ai thotë se duhet të krijohet një komision i veçantë që merret ekskluzivisht me këtë çështje brenda Policisë së Kosovës.

Islami madje thotë se zyrtarët policorë janë duke u bërë shkaktar të shtimit të vrasjeve në Kosovë.

Statistikat zyrtare të Policës së Kosovës tregojnë se ndër vite ka pasur disa viktima nga armët zyrtare. Vetëm gjatë vitit 2019 janë vrarë tre persona.

Back to top button