Thaçi: Themelimi i Ushtrisë, mënyra më e mirë për ta përkujtuar Mujë Krasniqi

Sot u bënë 20 vjet nga rënia e Mujë Krasniqit dhe 40 luftëtarëve të tij

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e përvjetorit të rënies së ushtarit të UÇK-së Mujë Krasniqit për lirinë e Kosovës, tha se formimi i ushtrisë është mënyra më e mirë për të përkujtuar Mujë Krasniqin.

“Në ditën e votimit të Ushtrisë së Kosovës, pikërisht sot kur të gjithë ndjehemi krenar me djemtë dhe vajzat e uniformuara, kujtojmë rënien heroike të komandantit Mujë Krasniqi, një prej luftëtarëve më të hershëm të UÇK-së.

Themelimi i Ushtrisë së Kosovës në 20 vjetorin e rënies së Mujës dhe 40 luftëtarëve të tij është mënyra më e mirë për të ruajtur dhe nderuar kujtimin për të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e UÇK-së.

Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Komandant Mujë Krasniqi ra heroikisht së bashku me 41 luftëtarë të UÇK-së më 14 dhjetor 1998, në një pritë nga forcat serbe, afër kufirit Kosovë-Shqipëri. Krasniqi ishte ndër pjesëtarët e parë të UÇK-së.

Mujë Krasniqi u lind më 6 qershor 1967 në fshatin Çabiq të Klinës./21Media

Back to top button