Vajza e Enver Malokut kërkon drejtësi për babain

Maloku tha se Kosova po ashtu po bëhet, por larg nga ëndrrat e Enverit

Njëzet vjet pas vrasjes së Enver Maloku, përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe familjarë kanë kërkuar zbardhjen e vrasjes së publicistit.

Për nder të veprës së tij, LDK sot mbajti një akademi përkujtimore, ku u tha se Kosova po bëhet, por larg nga ëndrrat e Enverit.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka kërkuar drejtësi për vrasjen e tij, e po ashtu zbardhjen e këtij rasti.

“Në emër të kryetarit, ju falënderoj në këtë tubim përkujtimor në rastin e 20 vjetorit të filozofit, publicistit dhe krahut të djathtë të presidentit tonë, Ibrahim Rugova. Rugova ia besoi sektorin e informimit Enverit. Ai së bashku me disa gazetarë, hapen Qendrën e Informimit të Kosovës. QIK-u është cituar qindra herë nga mediat botërore. Qëllimi i vrasjes dihet, kishte të bënte me shuarjen e lirisë”, ka shtuar Veliu.

Me një minutë heshtje e ka filluar fjalimin e tij akademiku Sabri Hamiti.

Ai ka thënë se për 20 vjet Enveri ka qenë ndër publicistët më të njohur të Kosovës.

“Është thënë edhe më herët që Enver Maloku është bërë shkrimtari kryesor në Kosovë. Kështu e larësoij stilin e vet dhe peshën e fjalës në veprim. Për një decenie u bë kronikani më i rëndësishëm. Ai ishte i admiruar por edhe i kundërshtuar nga kundërshtarët e filozofisë”, ka thënë Hamiti.

Ai ka shtuar se në kohën kur ishte vrarë Enver Maloku, para derës dhe para familjarëve të tij, edhe vet Hamiti ishte i shtrirë duke u ballafaquar me atentatorin.

Ndërsa, e bija e Enver Malokut, Doruntinë Maloku ka thënë se ky krim edhe pas 20 vjetëve është shumë i freskët. Drejtësi ka kërkuar edhe ajo për babain e saj.

“Kur u vra babi para syve tanë, unë që isha 16 vjeçare, tash kam pothuajse moshës e mamit kur mbeti e ve. Po rriten edhe nipat e mbesat. Kosova po ashtu po bëhet, por larg nga ëndrrat e Enverit. I jemi mirënjohës të gjithë atyre. Dera e familjes tonë është e hapur përherë me ju, që dhimbjen na i keni bërë më të lehtë, dhe krenarinë më të madhe”, ka përfunduar Maloku.

Enver Maloku ka qenë udhëheqës i Qendrës për Informim në Kosovë, e cila gjatë viteve të ’90-ta kishte shërbyer si Agjenci Kombëtare e Lajmeve. Ai ishte vrarë më 11 janar të vitit 1999 në kohë lufte, teksa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë nga persona ende të panjohur për drejtësinë kosovare.

Back to top button