Vdiq ikona e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha

‘Bilbili’ i Kosovës ka vdekur në moshën 86 vjeçare

Ka vdekur ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha. Pagarusha ka vdekur sot rreth orës 10:00 në moshën 86 vjeçare.

Lajmin për rtv21.tv e kanë konfirmuar nipi i Nexhmijes, Gentian Pagarusha.

Nuk dihen ende detaje rreth ceremonisë së varrimit.

Nexhmije Pagarusha është lindur më 07 maj të vitit 1933 dhe gjatë gjithë karrierës së saj i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut përmes artit. Nexhmije Pagarusha ka përfunduar shkollën e muzikës në Beograd dhe gjatë gjithë karrierës së saj artistike ka performuar në koncerte në vende të ndryshme të botës, duke e bërë kështu Kosovën të njohur kudo.

Ajo asnjëherë nuk ka pranuar të këndojë diçka që i ka tejkaluar vlerat shqipe e të linte pas dore muzikën e mirëfilltë shqipe. Këtë më së miri e ka dëshmuar anulimi i një koncerti në Maqedoni, ku i ishte kërkuar të këndonte në gjuhën serbe dhe artistja ishte larguar nga skena.

”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të Nexhmije Pagarushës, e cila ishte shkruar nga Rifat Kukaj. Përveç muzikës, ajo ka qenë edhe aktore. Pagarusha ka luajtur në shumë filma dhe është cilësuar nga regjisorët si një aktore e përkryer.

Në Kosovë, Nexhmije Pagarusha është shpallur si ‘Këngëtarja e Shekullit”, kurse në vitin 2012 presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani e ka dekoruar me titullin “Nderi i Kombit”./21Media

Back to top button