“Vendimet nga mbledhja e Qeverive mesazh për bashkëpunim ekonomik”

Kjo është mbledhja e pestë e përbashkët e dy Qeverive

Po mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive shqiptare, e cila është mbledhja e pestë me radhë e përbashkët me dy qeverive. Ndër marrëveshjet kryesore që pritet të arrihen në këtë takim, është ajo e lehtësirave doganore mes dy vendeve, si dhe heqja e tarifës së romingut.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se vendimet që do të merren në këtë takim do të jenë mesazh për bashkëpunimin ekonomik dhe institucional mes dy shteteve dhe shtoi se kjo do të shërbejë në plotësimin e nevojave të dy vendeve.

“Vendimet që do t’i marrim sot, këtu nga Peja, në mbledhjen e dy qeverive tona, më shumë se kurrë më parë të dërgojmë mesazhin e duhur të bashkëpunimit institucional dhe ekonomik, duke nxitur investimet e përbashkëta dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona, që kjo pastaj të shërbej në plotësimin e nevojave të tregjeve tona, por edhe më gjerë”, shkroi Shala në llogarinë e tij në Facebook.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në hapjen e mbledhjes së dy qeverive shprehi përkrahjen e madhe të Shqipërisë për Kosovën dhe shtoi se Kosova është shtet i pavarur dhe i barabartë me shtetet tjera dhe se Shqipëria është shteti më i interesuar për suksesin e Kosovës.

“Shqipëria është shteti më i prirur për bashkëpunim dhe më i interesuar për suksesin e Kosovës, pas lindjes së saj si shprehje e një drejtësie të munguar. Kjo drejtësi, e drejta nderkombëtare, është e drejtave të njeriut, dhe nuk njeh gjysmë njerëz. Ne i kemi mirëpritur dhe i mirëpresim në çdo rast të gjitha dinamikat dy palëshe apo shumë palëshe që çojnë tek plotësimi i kuadrit dhe zhvillimit të Kosovës”, theksoi Rama dhe shtoi se Kosova nuk mund të konsiderohet nga askush gjysmështet.

Ndërsa, i pari i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj në hapjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive shqiptare, është shprehur i bindur se me nënshkrimin e nëntë marrëveshjeve do të qojë në një të ardhme të afërt, deri në unifikimin të ekonomive tona dhe jo vetëm aq./21Media

Back to top button