Veseli në Pestovë: Heronjtë e vërtetë do të jenë prodhuesit
Veseli u premtoi mbështetje bizneseve
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka marrë pjesë në manifestimin “Dita e Patates”, në Pestovë të Vushtrrisë.
Veseli u premtoi bizneseve prodhuese dhe përpunuese se do të mbështeten edhe më shumë me grante, subvencione dhe me politika fiskale, në mënyrë që ata të kenë më shumë prodhim për tregun e brendshëm dhe të jashtëm.
“Patriotë bashkëkohorë janë prodhuesit, punëtorët e vyer të Kosovës, ata që me punën e tyre, me iniciativat e tyre ekonomike hapin vende të reja të punës. Vizioni në dekadën e dytë të pavarësisë është që Kosova të prodhojë dhe eksportojë sa më shumë produkte”, tha ai.
Sipas Veselit, Qeveria e Kosovës i ka të qarta obligimet e saj.
“Të sigurojë mbështetje të plotë për bizneset vendore. T’i përkrah ato, jo vetëm me subvencione, por edhe me lehtësirat e kërkuara fiskale dhe me masa të tjera, që prodhimet kosovare të mund të depërtojnë në tregjet ndërkombëtare”, deklaroi Veseli./21Media