Veseli në Washington diskuton mbështetjen për ushtrinë e Kosovës

Sipas Veselit, Universiteti Kombëtar i Mbrojtjes në Washington është një nga institucionet që po e mbështetë ngritjen profesionale për oficerët nga Kosova

Kryeparlamentari Kadri Veseli në vazhdën e vizitës në SHBA ka vizituar Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes në Washington,  ku ka takuar Vice Admiralin Fritz Roege, me ç’rast ka diskutuar për Ushtrinë e Kosovës.

Veseli përmes një shkrimi në facebook u shpreh se është i lumtur që përkrahja e tyre nuk do të mungojë.

“Universiteti Kombëtar i Mbrojtjes në Washington është një nga institucionet që po e mbështetë ngritjen profesionale për oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Takova në këtë universitet, Vice Admiralin Fritz Roege, të cilin e falënderova për përkrahjen. Me të dhe kolegët e tij diskutuam për mbështetjen në të ardhmen për institucionet tona të sigurisë, në veçanti Ushtrisë së Kosovës. Shumë i lumtur që kjo mbështetje nuk do të mungojë. Gjate vizitës në këtë Universitet takova edhe nënkolonelin e FSK-së, Enver Voca si dhe nënkolonelin e Policisë së Kosovës, Luan Keka të cilët po kryejnë studime në ketë universitet. Edhe shumë të tjerë do të vijnë falë partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Veseli në facebook.

Më 14 dhjetor do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës ku do të hidhet në votim transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg para pak ditësh ka thënë se vendimi për formimin e ushtrisë së Kosovës është në kohë të gabuar dhe do të ketë pasoja serioze. Kryeministri Ramush Haradinaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me Stoltenberg-un, të cilit i ka konfirmuar se ushtria e Kosovës do të votohet më 14 dhjetor./21Media

Back to top button