BDI deputetëve të Gruevskit u këshillon psikiatrin

BDI deputetëve të Gruevskit u këshillon psikiatrin

Deputetja Mirsade Emini i dëgjonte me vëmendje duartrokitjet që mori.

Kolegëve të saj deputetë, u pëlqeu “diagnoza” që ajo dha për sjelljet e parlamentarëve të VMRO-DPMNE-së.

Si mjeke me profesion, ajo tha se mënyra e qasjes në kuvend e 51 deputetëve-që flasin dhe kundërshtojnë njëri tjetrin-ka shpjegim në mjekësi, shkruan TV21.TV

“Çdo gjë mund të jetë, vetëm seancë konstituive nuk është. Sot nuk mendova se do të marr fjalën deri në këtë moment, por duke qenë se mu dha mundësia që të jem e provokuar nga kolegu Dragan Danev i cili sigurisht që sikur të gjithë të tjerët që po flasin me vetveten, e pasi që unë jam mjeke, në mjekësi, për ata të cilët flasin me vetveten i qojmë në trajtim tek psikologu ose tek psikiatri”, tha Mirsade Emini, Deputete e BDI-së.

I menjëhershëm ishte reagimi i shefit të grupit parlamentarë të VMRO-DPMNE-së Ilia Dimovski.

Por këtë herë përmendi edhe rastin kur të martën me gisht ua bëri Xhevat Ademi.

“Të ua drejtosh gishtin 51 përfaqësuesve të qytetarëve është sikur të ua drejtosh gishtin qytetarëve që i votuan.”00:43 “Sot kolegia tjetër nga radhët e BDI-së më dha karakteristika shëndetësore apo çka do qoftë ajo dhe mendoj se këto gjëra nuk janë mënyre e mirë e komunikimit”, u shpreh Dimovski.

Si në dy seancat e kaluara, edhe sot deputetët më të zëshëm dhe më aktivë në foltore ishin ata të VMRO-DPMNE, dhe as këtë herë seanca konstituive nuk mbaroi, dhe as që u zgjodh kryeparlamentari.

Për zgjidhjen e këtij të fundit, ka kundërshtime edhe Partia Demokratike Shqiptare, kurse debatin që po zhvillohet në kuvend, nuk po e sheh si rrugëdalje nga kriza.

PDSH thotë se dy deputetët e saj, nuk do e përkrahin Talat Xhaferin për kryetar të Kuvendit, por do të jenë të përmbajtur.

“Gjithashtu mbështetet kjo në premisën e BDI-së kinse qenka komandant i UÇK-së, dhe një komandant UCK-së kryeparlamentar është mirë!? Por, ka edhe plotë komandant tjerë të UÇK -së që janë burgjeve dhe BDI-ja duhet të jep llogari për ata e jo për Talatin, pasi që nuk ka qenë komandant vetëm i UÇK -së, ka qenë edhe i JNA-së kështu që nuk është shumë me rëndësi që të bëhet Talati krye parlamentar. Por kjo nuk do të thotë se nuk do ta mbështetim, por mendoj se do të jemi të përmbajtur”, tha Bardhyl Dauti, Deputet i PDSH-së.

Seanca konstituive pritet që të vazhdojë nesër, ku në rend të ditës, sikur sot, do të vazhdoj të jetë zgjedhja e kryetarit, zëvendëskryetarit dhe anëtarëve të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime. Nëse arrihet marrëveshje, atëherë pika e radhës është zgjedhja e kryekuvendarit. Kandidati i vetëm deri më tani, është deputeti Talat Xhaferi, i cili ka përkrahjen e shumicës së re parlamentare LSDM-BDI dhe të Aleancës për Shqiptarët./21Media