Zaev paralajmëron qeveri të re

Zoran Zaev paralajmëron qeverinë e re nga e hëna

Ngadalë, por sigurt partitë nga shumica parlamentare po i finalizojnë negociatat për formimin e Qeverisë së re. Këtë e paralajmëroi edhe mandatari Zoran Zaev, që sipas tij, deri në fund të kësaj jave në Kuvend do të dorëzohet për votim përbërja e kabinetit të ri qeveritar. Edhe pse ende nuk ka emra konkret se kush do të jenë ministrat e ardhshëm, sipas Artan Grubit, një gjë është e sigurt, BDI më nuk do të udhëheq me Ministrinë e Arsimit dhe në këmbim të saj, partitë shqiptare që do jenë pjesë e koalicionit do ta kenë Ministrin e Shëndetësisë. Nuk do të ketë ndryshime në drejtimin e postit të zëvendëskryeministrit për Marrëveshjen e Ohrit, por risia është emërtimi i këtij funksioni në zëvendëskryeministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndëretnike.

“Është një nga pikat tona programore që duhet t’i përfshijë të gjitha komunitetet tash më, përfshirë dhe Romët, Vllehtë, Turqit, Boshnjakët, në një ombrellë të vetme, ndër zëvendëskryeministrin e parë, më pas, zëvendëskryeministri për euro integrime i takon shqiptarëve, këto të tjerët i takojnë partisë së LSDM-së. Ndryshimi tek ne është bërë tek ministria e arsimit të cilën e kemi menaxhuar deri tash dhe kemi vendosur që ta këmbejmë me ministrinë e shëndetësisë”, tha Artan Grubi.

Se partitë politike janë shumë afër ndarjes së resorëve, konfirmoi edhe Zaev, i cili nga Brukseli dërgoi porosi se nga fillimi i javës së ardhshme Maqedonia do të ketë Qeveri të re reformatore. Por, ndërkohë, LSDM-ja dhe Lëvizja Besa ende po negociojnë, shkruan tv21.tv.

“Premtoj që së shpejti do të vijmë deri te bisedimet për emra. Të gjithë liderët erdhëm në përfundim që të mundohemi që deri në fund të javës të dorëzojmë propozim deri te Parlamenti i Maqedonisë dhe premtuam që këtë do të bëjmë për rreth dhjetë ditë. Dhe ja java po mbaron, gjashtë, shtatë ditë kaluan, populli po preset rezultate, përmirësimi të jetës ekonomike, fillimi i reformave, duan të shohin si funksionon Parlamenti, opozita po e bënë punën e vet, shumica parlamentare të vetën, e gjithë kjo do të thotë që po afrohemi drejtë BE-së por mbi të gjitha do të thotë përmirësim të jetës së qytetarëve”, tha Zaev.

Edhe kreu i LR-PDSH, Ziadin Sela është shprehur optimist se deri në fund të javës do të finalizohen bisedimet për formimin e Qeverisë. Nga Lëvizja BESA theksuan për TV21 se nuk ka asgjë konkrete për ndarjen e resorëve ministrore, pasi që ende nuk është biseduar për këtë me LSDM-në.

Back to top button