Zvicra e përkrahë promovimin e produkteve të Kosovës në tregun zviceran

“Përvoja dhe ndihma e Zvicrës është e mirëseardhur”

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Mevludin Krasniqi priti sot në takim presidentin e Dhomës së Tregtisë, Industrisë dhe Shërbimeve Zvicër –Kosovë, Stefan Sarkany, me të cilin bisedoi për mundësinë e bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë përmes promovimit të produkteve bujqësore të vendit tonë në tregun zviceran.

Me këtë rast, Krasniqi i njoftoi mysafirët e tij me programet e ministrisë për zhvillimin e bujqësisë në vend, të cilat kanë sjellë rezultate dhe falë investimeve në bujqësi është siguruar edhe rritje e cilësisë së produkteve bujqësore të prodhuara në vend, të cilat tashmë po depërtojnë edhe në tregun rajonal dhe evropian.

Gjatë këtij takimi u tha se përvoja dhe ndihma e Zvicrës është e mirëseardhur, duke ditur faktin që ky shtet është i njohur për prodhimin e disa produkteve blegtorale.

Ndërsa, presidenti i Dhomës së Tregtisë, Industrisë dhe Shërbimeve Zvicër –Kosovë, Stefan Sarkany shprehu gatishmërinë për të mbështetur depërtimin e produkteve bujqësore dhe industrinë ushqimore “Made in Kosova” në tregun zviceran.

Për këtë ata treguan se janë të gatshëm të fillojnë këtë bashkëpunim me prodhuesit dhe përpunuesit e industrisë ushqimore në vend.

Back to top button